“Zjarr e gjithë Shqipëria”, vjen i nxehti i Saharasë, fundjava me temperatura deri në 37°C

Fundjava e parë e muajit qershor do të shënojë temperatura tepër të larta për nisjen e stinës së verës. Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja sqaroi në “Ditar” se termometri do të shënojë deri në 36-37 gradë Celcius.

Qarqet Elbasan, Berat dhe Gjirokastër do të jenë më të nxehtët, për shkak të masave ajrore Subsahariane që vijnë nga shkretëtirat e Çadit, ndërsa më i freskët do të jetë moti në Tiranë dhe Shkodër.

“Që sot pas rreth dy orësh presim një maksimum prej 35°C. I njëjti maksimum do të ruhet edhe gjatë mesditës së të shtunës. Deri ditën e diel presim të kemi 36°C ose diçka më lart në disa nga qarqet. Do të citoja Elbasan, Berat dhe Gjirokastër që do të jenë zonat më të nxehta. Shkodra dhe Tirana mbeten më në periferi të këtij të nxehti, pasi ky i nxehtë nuk vjen nga veriu i Afrikës, por nga Saharaja, pra shkretëtirat e Çadit drejt Europës Juglindore. Zonat jugore përfshirë edhe një pjesë e mirë e lindjes së territorit shqiptar do të shënojnë temperatura mjaft të larta.”

Porja shpjegoi se për shkak të mënyrës si po lëviz rryma ajrore afrikane, mërkuri do të skuqet në fundjavë edhe në qytete si Pogradeci dhe Korça, zona të cilat janë tradicionalisht të freskëta.

“36°C është i sigurt për ditën e dielën. I gjithë jugu madje edhe në zonat juglindore. Edhe Pogradeci, Korça dhe Erseka që janë klasikisht më të freskëta se pjesa tjetër e territorit, këtë fundjavë presim 30°C deri në 31°C. Diçka më freskët Devolli dhe Kolonja, por temperatura mjaft të larta edhe në juglindje për shkak të origjinës së masave ajrore që vijnë nga Mesdheu Lindor dhe ngjiten në juglindje të kontinentit. Më freskët paraqitet veriu dhe verilindja, por edhe Shkodra me temperatura jo më shumë se 32-33 gradë celcius.”

Artikulli paraprakSkandali me mbetjet spitalore/ Tenderin e fituan me dokumente të falsifikuara, arrestohet administratori i një subjekti! Masa edhe për 10 persona të tjerë. Detajet
Artikulli tjetër“Ramiz Alia ka lëvizur në ndryshimin e politikave autoritare”- Shkrimi i ‘New York Times’: Ai e përdori praninë e shefit të Kombeve të Bashkuara që të mënjanojë…