Zjarret vijojnë të shkrumbojnë pyjet në të gjithë vendin, ndërsa në Krujë po rrezikohen edhe disa banesa. Mesditën e djeshme ka rënë një zjarr i madh në lagjen Meçe të qytetit të Krujës. Bëhet e ditur se, zjarri ka rënë në një sipërfaqe pyjore, pranë të cilës ndodhen edhe banesa të banuara, të cilat rrezikohen nga flakët. Përhapja e flakëve favorizohet nga era, ndërkohë që forcat zjarrfikëse janë në vendngjarje, por ndërhyrja e tyre është vështirësuar për shkak të terrenit. Ende nuk dihet nëse nisja e zjarrit ka ardhur prej temperaturave të larta apo ka qenë e qëllimshme.
Gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin janë shënuar 8 vatra zjarri në pyje e kullota në qarqet Shkodër, Elbasan, Dibër, Vlorë e Gjirokastër. Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohet për raste zjarresh dhe vatra të vogla që kanë qenë aktive janë shuar. Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Në Shkodër ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra dhe hamullore në afërsi të disa banesave në fshatin Goraj, Njësia Administrative Kastrat, Bashkia Malësi e Madhe. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.2 ha me shkurre e ferra dhe hamullore.
Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë disa banesave në lagjen “Llixha” të qytetit Peshkopi. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe ferra.
Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra dhe pyll pishe në fshatin Paulesh, Njësia Administrative Pajovë, Bashkia Peqin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.2 ha me shkurre e ferra dhe pyll pishe.
Ka rënë zjarr në sipërfaqe pylli me pemë ahu tek Mali i Babjes, në vendin e quajtur “Zalishte”, të fshatit Babje, Njësia Administrative Qendër Librazhd, Bashkia Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha sipërfaqe me pyll ahu.
Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra pranë pyllit me pisha në lagjen “Xhami” të qytetit Peqin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.4 ha me shkurre dhe ferra.
Ka rënë zjarr në sipërfaqen me shkurre e ferra në kurorën me ullishte pranë lagjes “Vullnetari” të qytetit Elbasan. Si pasojë e zjarrit u dogj 1 ha me shkurre e ferra dhe 3 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.
Edhe në Vlorë vijojnë zjarret. Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre të ndryshme në fshatin Shkozë, Njësia Administrative Sevaster, Bashkia Selenicë. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 3 ha sipërfaqe me shkurre të ndryshme.
Ka rënë zjarr në barishte dhe shkurre në vendin e quajtur “Lëmi i Jahos” në fshatin Riban, Njësia Administrative Dëshnicë, Bashkia Këlcyrë. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 1 ha me barishte dhe shkurre.