Zjarr në një apartament në Tiranë, digjen dy banesa në Fushë Krujë

Përfshihet nga flakët apartamenti në katin e dytë të një pallati në zonën e Unazës së Re. Zjarri shpërtheu rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, duke vënë në panik tre vajzat që banonin në të dhe gjithë banorët që dolën jashtë nga frika. Sipas dëshmitarëve, mësohet se njërës nga vajzat, i është dashur të kapërcejë nga ballkoni për t’i shpëtuar djegies. Ajo pësoi fraktura në këmbë gjatë hedhjes nga ballkoni i saj te ai i fqinjëve dhe ra në këmbë dhe u dërgua për mjekim në QSUT.
Zjarri që ra në orët e mesnatës dyshohet të ketë ardhur si pasojë e harresës së një karikuesi telefoni në prizë, por ende vijojnë hetimet që do përcaktojnë edhe shkakun.
Flakët dhe tymi ishin aq të mëdha sa në vendngjarje shkuan 4 makina zjarrfikëse, të cilët bënë edhe evakuimin e të gjithë banorëve të pallatit. Për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në vendngjarje shkuan edhe dy ambulanca, si dhe forcat e policisë.
Po ashtu, një zjarr i fuqishëm ka djegur e shkatërruar dy shtëpi banimi në Fushë Krujë, duke lënë në qiell të hapur 11 persona. Zjarri ka rënë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “Kastriot” dhe është pikasur nga një banor, i cili menjëherë njoftoi të zotin e shtëpisë. Flakët fillimisht ranë në një dhomë të njërës prej shtëpive, por më pas u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë dhe një tjetër banesë.
Familjarët janë munduar me mjete rrethanore për të fikur zjarrin, por ka qenë e pamundur. Thirrjes për ndihmë i është përgjigjur firma pastruese e qytetit që ka sjellë botin me ujë, por zjarri ka qenë i përmasave të mëdha. Në ndihmë kanë shkuar edhe banorë të zonës. “I pari, shtëpinë që po i dilte flaka e pashë unë. Dhe kam dalë menjëherë e kam lajmëruar familjarin. I kam thënë çohu se po të digjet shtëpia. Kam lajmëruar policinë. Unë habitem gjithë ky qytet me 50 mijë banorë mos me pas një zjarrfikëse”.
Pasi u njoftuan në vendin e ngjarjes erdhën edhe zjarrfikëset e Durrësit dhe Tiranës, por jo ajo e Fushë Krujës që dyshohet se ka qenë me defekt. Flakët janë vënë nën kontroll pas disa orësh, por të dy shtëpitë janë djegur krejtësisht. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.

Artikulli paraprakFlakët shkrumbojnë 3 ha me pisha në Vau i Dejës
Artikulli tjetërGrabitja e dyqanit të internetit në Tiranë, autori ende i lirë