Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e djeshme në kryeqytet, ku zjarri në një pallat në zonën e Freskut i ka marrë jetën një nëne të re. Sipas burimeve, një grua 30 vjeçe është gjetur e vdekur brenda ashensorit të pallatit ku ra zjarri. Ajo ka ndërruar jetë nga asfiksia, ndërsa më pas ashensori ishte përfshirë nga flakët. 30-vjeçarja ishte nënë e një fëmije të vogël, ndërsa mësohet se bashkëshorti i saj jetonte në Gjermani. Vajza dyshohet e është asfiksuar dhe më pas karbonizuar, nga flakët e zjarrit ët rënë në ashensorin e pallatit ku banonte, dhe kur ndodhej në momentin fatkeq.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të ditës së djeshme në një pallat 8 katësh tek Fresku afër Thesarit të Shtetit. Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha dhe në vendngjarje kanë shkuar 3 zjarrfikëse, të cilat kanë kërkuar edhe përforcime. Po kështu, disa banorë kanë rrezikuar jetën për shkak të tymit, pasi mund të asfiksoheshin. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, që kanë ndihmuar banorët dhe zjarrfikësit. Pas rreth 1 ore luftë me flakët, zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë zjarrin.
Bëhet e ditur se, shkak për këtë zjarr ka qenë vaji i ashensorit që ka rrjedhur, i cili më pas është nxehur si shkak i punës së ashensorit duke marrë flakë, e duke i marrë jetën një nëne të re. Ndërkohë, banorët e pallatit tregojnë se “nuk dëgjuam të bërtitura por pamë tymin dhe flakët”. Ata kanë thënë se kanë ndjerë erën e tymi dhe kanë parë flakët që kishin përfshirë ashensorin në katin e katërt të pallatit.
Banorët e zonës së Freskut dhe të pallatit ku ra zjarri kanë rrëfyer momentet e tmerrit, kur panë që ashensori u përfshi nga flakët. Nga dëshmitë e para të tyre, ata thonë se zjarrfikësja përveçse erdhi me vonëse, nuk kishte as ujë. “Po ndeja rrobat në ballkon në atë kohë. Dal në sallon dhe vinte erë të djegur, mua më shkoi mendja tek dushi. Ula automatin e shtëpisë, por kur hapa derën hyri tymi i zi dhe kërciste ashensori. Me vrap kam zbritur dhe filluam me kova me ujë të shuanim zjarrin. Zjarrfikësja ka ardhur pas 45 minutash”, u shpreh një banore e pallatit.
“Kjo është zonë e populluar, duhet një pikë zjarrfikëse, ambulancë, çdo gjë duhet. Shteti duhet të bëjë diçka. Na erdhi keq, gjithë ky zjarr, humbi jetën tjetra. Duhet kujdes, tani siç thonë zjarrfikësja erdhi, por erdhi pa ujë. Ku shkon zjarrfikësja pa ujë. Kështu që shteti duhet t’i shikojë këto gjëra. Unë kam pasur edhe rastin kur më vdiq burri, ambulanca erdhi kur ai vdiq”, tha një banore tjetër.