Zjarri në “Astir”, banorja: Policia nuk hapte telefonin…

Një banore e pallatit ku u dogj apartamenti në katin e 3 të një pallati në “Astir” ka treguar momentet që përjetoi gjatë mëngjesit të sotëm, ndërsa u shpreh se policia dhe zjarrëfikësja nuk reaguan në kohë.

Ajo shprehet se tymi po u vinte brenda në shtëpi, ndërsa nuk dilnin dot pasi shkalla e pallatit ishte kthyer në një oxhak me tym ku nuk shihje asgjë dhe nuk merrje dot frymë. Ajo tha se nga zjarri kanë pësur djegje edhe një djalë dhe një grua që ndodheshin një kat më lartë banesës ku ra zjarri dhe ndodhen në spital.

Banorja tha se, Klodjan Osmënaj, 36-vjeç, që dyshohet se mund t’i ketë vënë zjarrin banesës ishte me depresion dhe problematik, pasi shpesh gjuante dhe hidhte gjëra nga banesa. Ajo thotë se e kishin denoncuar disa herë.“Në orën 6 e 45 po shikoja nga po vinte tymi, por kur hapën derën erdhi tymi. Në katin e tretë ishte një person me depresion dhe shpesh qëllonte, hidhte sende nga lart, e kemi denoncuar, por asnjë nuk reagonte.

Më fal që po e them po u desh që të derdhej gjak që të vinin. Kur pashë tymin kam rënë policisë, nuk na hapnin telefonin dhe lajmërova banorët se janë me fëmijë të vegjël mos asfiksohen, unë jam kati i fundit dhe tymi doli me shtëllunga. Po digjeshim se nuk dilnim dot, zjarrfikësja ka ardhur shumë vonë. Ndërkohë në katin e katër disa janë plagosur një grua dhe një djalë janë në spital. Nuk dilnim dot, pasi tymi kishte pushtuar shkallën”, tha banorja për gazetarët.

Exit mobile version