Preç Zogaj, President i Institutit Liberal Pashko, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, duke komentuar raportin e paraqitur nga kreu i SPAK, Altin Dumani në Komisionin e Ligjeve, tha se Dumani nuk ka ngritur shqetësimin për mosbashkëpunimin me Policinë e Shtetit, përkundrazi e ka evidentuar si një institucion që ka bashkëpunimin më të shumtë, krahasuar me institucionet e tjera.
Zogaj tha se bashkëpunimi i Policisë me krimin tregon një shkallë të lartë të degradimit të institucioneve, pasi kemi të bëjmë me një institucion që duhet të luftojë krimin dhe bëhet palë me të.
“Nuk është hera e parë që eksponentë të Policisë së Shtetit bashkëpunojnë me krimin, është një dukuri që ndikon shumë negativisht në luftën ndaj krimit. Por duhet thënë se korruptimi i disa shefave të policisë është pjesë e atij korrupsionit kapilar që ka përfshirë institucionet në tërësi”, tha Zogaj.
Ai u shpreh se ndoshta fenomeni është më i thellë se rastet që janë publikuar, përderisa Dumani e ka paraqitur si shqetësim.
Zogaj gjithashtu e konsideroi shumë shqetësuese faktin që ka një rënie të denoncimeve në SPAK nga ana e institucioneve apo piramida shtetërore.
“Jemi në kushtet e një pajtimi të plotë me korrupsionin të ekzekutivit shqiptar. Është shumë shqetësuese, duket sikur vetë këto agjensi, administrata, njerëzit e ekzekutivit, janë në një lloj rrethimi dhe presin që SPAK të tërhiqet”, tha Zogaj.