Presidenti i Institutit Liberal “Pashko, Preç Zogaj, i ftuar në Klan News në studion e Mirela Milorit, ka analizuar ngjarjet e fundit rreth hetimit dhe akuzës së ngritur nga SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij. Zogaj nuk e konsideroi politik hetimin, shprehu besim mbi organet e reja të drejtësisë dhe tha sa aferat e dyshuara si korruptive të qeverisë se Ramës do të kalojnë të gjitha në lupën e drejtësisë me mbështetje të fuqishme amerikane dhe europiane.
“Nga pikëpamja politike është në vazhdën e hetimeve dhe akuzave penale të ngritura gjatë dy viteve të fundit, kur SPAK ka thyer tabu duke hetuar, akuzuar dhe dërguar në gjykatë zyrtarë të lartë të partisë në pushtet dhe ish zyrtarë. Në këtë përshkallëzim, hetimi i ish kryeministrit Berisha për aferën e privatizimit të ish klubit “Partizani” përfaqëson majën më të lartë të hetimeve të kësaj natyre. Në tërësi të gjitha këto hetime dëshmojnë se Shqipëria po u afrohet vendeve demokratike ku askush nuk është mbi ligjin, ku sundon ligji. Ka shumë shembuj në perëndim ku drejtësia ka hetuar, akuzuar dhe dënuar ish-kryeministra, ish-presidentë apo edhe ne detyrë, si për shembull ish-presidentët Zhak Shirak e Nikolas Sarkozi në Francë, ish kryeministrat Xhulio Andreoti, Betino Kraksi, Silvio Berluskoni në Itali dhe raste të tjera më afër nesh si në Kroaci, në Rumani e tjerë”, komentoi Zogaj nisjen e hetimeve për ish kryeministrin Berisha. “Në Shqipëri zyrtarët me të lartë e kanë parë veten mbi ligjin. Kanë menduar që “ligji jam unë” siç thoshte Luigji XIV”, u shpreh ai. Por dita e llogaridhënies vjen sepse ligji është ligji, jo ti.
I pyetur për refuzimin e Berishës për të shkuar në gjykatë, duke e konsideruar antikushtetues vendimin e gjykatës pa u shprehur me parë parlamenti dhe a është ky një vendim politik apo një mënyrë për të përfituar përmes procedurës, Zogaj tha se fjalët që përkufizojnë dispozitën kushtetuese për këtë çështje janë te interpetueshme. Sekush përqafon interpretimin që i intereson. Por është një ngërç që nuk e pengon procesin. Kushtetua dhe legjislacioni ynë e mundësojnë zhbllokimin e tij.
Lidhur me ndikimin që mund të ketë e majta dhe PS në këtë çështje, nisur edhe nga historiku 30-vjeçar i drejtësisë në Shqipëri, që nga burgosja e ish-liderit të së majtës, Fatos Nano, i pyetur nga gazetarja Milori në studio, duke iu referuar edhe asaj që pretendohet nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësve të tij, Zogaj tha se duhet të jemi seriozë dhe të qartë se çfarë kuptojmë me kapje kapje të drejtësisë. “Po e them shkurt: Prej shumë vitesh, që pas burgosjes së Nanos, kapja e drejtësisë nuk ka qenë dhe nuk është që një palë ia ndërsen palës tjetër. Kapja e drejtësisë në Shqipëri ka qenë ndalimi i saj për të shkelur në sferat e larta. Kjo ka qenë marrëveshja e pashkruar e kastës politike plurale solidare, që ka bërë deri vonë dhe vijon ta bëje serish sa here mundet teatrin e demokracisë në skenë, ndërsa shkëmbejnë fluksin e parave të korrupsionit nën banak: Ju, prokurorë dhe gjyqtarë mund të bëni lekë me dosjet e krimit të organizuar e për çështje të tjera, por këtu te ne mos guxoni të shkelni. Pikërisht kjo marrëveshje e pashkruar ka krijuar pandëshkueshmërinë në Shqipëri, si gangrena demokracisë. Kjo është arsyeja, – argumentoi më tej Zogaj, – që SHBA dhe BE u investuan për të ndihmuar popullin shqiptare dhe shpëtuar demokracinë në Shqipëri, si bashkautorë të Reformës në Drejtësi në konceptim dhe në zbatim. Drejtësia që heton dhe gjykon në sferat e larta nuk mund të quhet më e kapur. SPAK dhe Gjykata e Posaçme po bëjnë atë që u kërkon ligji. SHBA qëndron pas drejtësisë së re, jo për t’u mbajtur dorën prokurorëve dhe gjyqtarëve, por për ti inkurajuar, mbështetur dhe siguruar në punën e tyre kurajoze se kjo është rruga e duhur për të vendosur sundimin e ligjit. SPAK dhe Gjykata e Posaçme po bëjnë histori me mbështetje amerikane. Shihet se ka një prirje, edhe mes kolegësh tanë, për ta kthyer në fis gjithë këtë histori të madhe, për ta zhveshur nga konteksti i gjerë ndërkombëtar. Për mendimin tim, Ramës vetë po i dridhet toka nën këmbë. Po të ishte për Ramën, këto hetime dhe ngjarje nuk do të kishin ndodhur kurrë. Aferat e qeverisë së tij po kalojnë e do të kalojnë me radhe në lupën e drejtësisë.
I pyetur për akuzën e ngritur nga SPAK ndaj Berishës, nëse një e tillë qëndron, Zogaj tha se nuk ka ndërmend të bëjë avokatin, as prokurorin dhe as gjykatësin e ndokujt. “Se nuk jam i tillë. Politikisht, i kemi thënë e i kemi mbajtur në kohë reale qëndrimet tona. Kjo është tashmë një çështje e drejtësisë”, tha ai ndërsa theksoi se të gjitha akuzat për abuzime e korrupsion duket të zbardhen në institucionet t e ligjit. Kush nuk ka shkelje, e ka në favor trasparencën. Nuk duhet të vazhdojmë më me akuza me destinacion fantazinë që fshehin të vërtetat, tha ai.
Në përgjigje të pyetjes për mundësinë e trazirave, Zogaj e përjashtoi si mundësi , duke nënvizuar se rasti i Berishës ka një kontekst krejt tjetër nga ai i Fatos Nanos në vitin 1993. Ngulmimi eventual për trazira, për të ofenduar, shantazhuar e kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët , nuk bën gjë tjetër veçse do ta ekspozonte zotin Berisha si pengues të drejtësisë që është në vetvete një vepër penale. Besoj se atij nuk i intereson kjo, tha ai.
“Është një stuhi që po ngrihet” nënvizoi Zogaj për perspektivën e hetimeve nga SPAK . “Shihet se asnjë zyrtar apo ish zyrtar lartë që ka kryer korrupsion nuk do ti shpëtojë hetimit dhe gjykimit. Nuk është kuptuar mirë por duhet të kuptohet me në fund konsiderimi i korrupsionit nga Presidenti SHBA, Biden, si një dukuri që cenon sigurinë kombëtare të SHBA dhe çdo vendi të familjes së NATO-s. Këtu edhe mbështetja e paçmuar me qëndrime, me përvojë, logjistike dhe informacion nga SHBA për drejtësinë tonë.