Vincent W.J. van Gerven Oei
Më 26 gusht, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn mori pjesë në një takim joformal të organizuar nga Kryeministri Edi Rama për homologët e tij në Ballkan: Kryeministrat e Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Takimi u fokusua pjesërisht në projektin e formimit të Zonës Ekonomike Rajonale (ZER), të dakorduar gjatë Samitit të fundit të Triestes.
Gjatë një konference për shtyp pas takimit, Komisioneri Hahn deklaroi se, “zbatimi i zonës ekonomike rajonale është çelësi për të hapur mundësi për miliona njerëz dhe për të nxitur [vendet] drejt rrugës evropiane”.
Me fjalë të tjera, Zona Ekonomike Rajonale është një plan i nxitur nga BE për të mbajtur “të zënë” Ballkanin Perëndimor deri sa shumica e qytetarëve të BE-së të mos jenë kundër zgjerimit dhe pakënaqësia populiste që ushqen frymën kundër zgjerimit të BE-së të zhduket pa lënë gjurmë.
Sipas Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, i cili parashikohet të zbatohet deri në vitin 2023, shkruhet se Zona e Përbashkët Ekonomike:
“[….]do të mundësojë rrjedhjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punësimit me kualifikim të lartë, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, duke përshpejtuar afrimin me BE dhe duke sjellë prosperitet për të gjithë qytetarët e saj”.
Një përfundim deri-diku i vërtet që mund të nxirret nga leximi i Planit të Veprimit është që Ballkani Perëndimor tashmë është një grup mjaft homogjen, me probleme strukturore të ngjashme. Por, nuk janë dallimet ekonomike ato që kërcënojnë zbatimin e Planit të Veprimit, por janë marrëdhëniet politike, si me BE-në ashtu dhe midis gjashtë vendeve.
Le të fillojmë me marrëdhëniet e gjashtë shteteve me BE-në:
Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë filluar bisedimet për anëtarësim në BE, Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate, ndërsa Bosnja dhe Kosova janë shtete të mundshme për të marrë në të ardhmen statusin e kandidatit.
Serbia dhe Mali i Zi ka shumë mundësi të bëhen anëtarë të BE-së përpara katër vendeve të tjera. Kjo nënkupton që, fati politik i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk është i lidhur me njëri-tjetrin, vendet nuk varen nga njëri-tjetri për ta bërë zonën e përbashkët ekonomike të funksionojë. Vendet më afër anëtarësimit në BE janë më pak të motivuara në funksionimin e këtij projekti se sa vendet e tjera. Kjo tashmë ishte e qartë edhe nga përfaqësuesja serbe e dërguar të shtunën në Tiranë, kryeministrja Ana Brnabiç, e cili është e parëndësishme në krahasim me presidentin Aleksandar Vuçiç.
Për më tepër, Serbia dhe Bosnja nuk e njohin ende shtetin e Kosovës, i cili aktualisht është i përfshirë në një mosmarrëveshje kufitare me Malin e Zi. Përpjekjet e fundit të Serbisë për të rihapur një “diskutim të gjerë” mbi njohjen e Kosovës, e cila ende është pa një qeveri funksionale, nuk po përparon në asnjë drejtim. Ndërkohë, Serbia ende bllokon linjën e interkonjeksionit elektrik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu kohët e fundit, Maqedonia dhe Serbia kanë konfliktin e tyre diplomatik, burimi i të cilit është ende çështje diskutimi.
E gjithë kjo do të thotë se, Bashkimi Europian – i paaftë për të mësuar nga gabimet e veta-po përdor integrimin ekonomik si një rrugë drejt integrimit politik, si për marrëdhëniet brenda Ballkanit Perëndimor ashtu edhe me BE-në. Kriza greke, si dhe rritja e pakënaqësisë së grupeve populiste në BE, duhet t’i kenë treguar burokratëve të BE-së se ngërçi ekonomik dhe zhvillimi i një tregu të vetëm nuk i bënë dallimet politike midis vendeve të BE të zhduken. Në fakt, duket se ato theksohen më tepër.
Duke i detyruar të njëjtin “proces të integrimit” në Ballkanin Perëndimor, BE po luan një lojë të rrezikshme: rrugët asimetrike të pranimit në BE, tensionet e vazhdueshme politike e etnike dhe tregjet që janë të përcaktuara nga informaliteti dhe korrupsioni i përhapur nuk mund të zgjidhen si me magji, duke hequr “burokracinë” dhe duke “hapur” tregjet. Në vend të bashkëpunimit, ai do të kthehet në një skenar ku fituesi (vendet afër anëtarësimit në BE) i merr të gjitha, dhe humbësit do të kenë edhe më pak nga ç’kishin më parë.