Java e 24-t e futbollit italian do të hapet me një nga ndeshjet më të zjarrta të Serisë A. Fiorentina do të presë në shtëpi Juventusin, për të shkruar një kapitull të ri të një rivaliteti që zgjat tashmë prej pothuajse 40 vitesh. Vendasit nuk po paraqiten shumë mirë dhe fundjavën e kaluar kanë arritur t’i japin fund ecurisë prej pesë ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet falë suksesit 2-1 të regjistruar në fushën e Bologna-s.
Pavarësisht nga 3 pikët e marra në transfertë, ata mbajnë vendin e 11-të në renditje me 31 pikë të grumbulluara pas 23 javëve të para të kampionatit. Juventus, nga ana tjetër, është në kërkim të fitores së radhës dhe do të paraqitet në këtë sfidë pasi ka shkatërruar 7-0 Sassuolo-n në javën e fundit të kampionatit. Lojtarët e Allegri-t do të synojnë të marrin vendin e parë, edhe pse përkohësisht, dhe të rrisin presionin ndaj Napolit, me këta të fundit që do të presin Lazio-n në shtëpi një ditë më vonë.
Ajo kundër Sassuolo-s ka qenë fitorja e dhjetë radhazi e bardhezinjve në të gjitha kompeticionet dhe torinezët janë të pamposhtur në Serinë A që nga nëntori i 2017-ës, kur janë mundur 3-2 në fushën e Sampdoria-s. Ndërkohë, Fiorentina nuk ka arritur të fitojë asnjë nga katër ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi (3 barazime, 1 humbje), ndërsa kundërshtarët e tyre kanë fituar 5 transfertat e fundit të kampionatit me rezultatin e përgjithshëm 10 me 1.
Ky takim pritet të dhurojë spektakël dhe gola, duke parë se Fiorentina ka gjetur rrugën e golit në 10 nga 11 ndeshjet e kampionatit që ka luajtur në shtëpi, ndërsa Juventus ka shënuar në të gjithë 12 transfertat e luajtura në Serinë A. Shtatë nga nëntë fitoret e marra në transfertë, Juventus i ka arritur me një diferencë prej dy ose më shumë golash. Ndërkohë, Fiorentina ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Juventus, duke humbur gjashtë takimet e tjera.
Ndërkohë ka patur tension në shtëpinë e Lazio pas humbjes brenda kundër Genoa. Flitet se menjëherë pas ndeshjes ka pasur një përplasje të fortë mes Felipe Anderson dhe Simone Inzaghi. Trajneri ka kritikuar brazilianin për paraqitjen e dobët, kur u fut në fushë në pjesën e dytë dhe të progatonistët kanë nisur një debat të ashpër që mund të konsiderohet si sherr i mirëfilltë sepse vetëm ndërhyrja e futbollistëve të tjerë ka shmangur që të kapeshin me duar. Gjithsesi, klubi i Lazio ka dalë në një komunikatë për shtyp ku e ka quajtur ngjarjen një “përplasje të civilizuar mendimesh”, por fakti është se Anderson nuk ka qenë i pranishëm në stërvitjen e djeshme.
Sipas “Premium Sport”, trajneri ka kritikuar Anderson pas ndeshjes dhe ky i fundit është përgjigjur: “gjithmonë merresh vetëm me mua”. Mes futbollistëve të tjerë që kanë ngritur zërin me synim për të zbutur gjakrat ka qenë braziliani Lucas Leiva, i cili ka përdorur gjithë përvojën e tij për të kthyer qetësinë mes trajnerit dhe futbollistit që po shkonin drejt përplasjes fizike. Gjithsesi, tanimë e ardhmja e Felipe Anderson është gjithmonë e më larg nga bardhekaltërit.