
Nga zërat se mund të largohej në merkato apo se Zurichu nuk e cilësonte pjesë të projektit prej moshës së madhe, Burim Kukeli e nis në mënyrë të shkëlqyer sezonin e ri në Zvicër. Me një rol të ri në fushë, ku ashtu siç i ka ndodhur shpesh në kombëtare u përshtat si mbrojtës, lojtari nga Gjakova ishte një garanci për Zurich në fitoren 2-0 në fushën e Grasshopper, në javën e parë të Superligës zvicerane. Kukeli u aktivizua gjatë gjithë lojës si qendër e majtë në mbrojtje, ndërsa u ndëshkua edhe me karton të verdhë në minutën e 71-të, në ndeshjen që u vendos nga dy golat e Dwamenas.
Për paraqitjen e jashtëzakonshme gazeta zvicerane “Blick” e përfshiu në Formacionin më të Mirë të Javës, duke vlerësuar se 33-vjeçari dha siguri në pozicionin e ri, ku për t’u theksuar ishte fakti se ndihej mjaft komod. Paraqitja e mirë e ndihmon Burim Kukelin të konsolidojë pozitat e tij në skuadër, pas interesimit të ish-zv.trajnerit të kombëtares, Tramezzani, që synonte ta transferonte te Sioni. Por me freskinë e treguar, eksperiencën e madhe që zotëron dhe faktin se mund të mbulojë disa role në fushë, tashmë duket e vështirë që Zurichu të privohet nga shërbimet e shqiptarit.
Burim Kukeli e nis me këmbën e mbarë sezonin e ri në Superligën zvicerane. Lojtari i kombëtares kuqezi që ka zgjedhur të vazhdojë karrierën te Zyrihu, zhvilloi ndeshjen e parë titullar me Zyrihun në derbin kundër Grasshopers të fituar me rezultatin 2-0. Risia më e madhe e këtij takimi për Zyrihun ishte zhvendosja e Kukelit në mbrojtje. Trajneri Ulrich Forte hodhi në fushë formacionin 3-5-2 duke e zhvendosur disa metra më mbrapa lojtarin shqiptar në krahun e majtë të mbrojtjes me tre lojtarë.