4 gola në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit zviceran janë një sinjal mëse i qartë, se Armando Sadiku po përjeton momentin e tij më të mirë në këtë sezon. Sulmuesi shqiptar, i cili është edhe njeriu që po udhëheq Luganon me golat e tij drejt pjesës së sipërme të klasfikimit në Superligën zvicerane, për të 3-ën javë rresht është përfshirë nga gazeta presitgjioze “Blick” në 11-shen më të mirë të javës.
Gjithçka e merituar për kuqeziun, i cili me kalimin te skuadra e Paulo Tramezzanit ka rigjetur formën maksimale, vetëm pak javë përpara ndeshjes shumë të rëndësishme që kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndaj Italisë në Palermo. Sadiku në sfidën ndaj Lausannes e vlefshme për javën 23-të të kampionatit zviceran, realizoi golin e parë në suksesin 2-1 që arriti skuadra e tij. Që nga momenti që është bërë pjesë e Luganos 25-vjeçari nga Elbasani ka realizuar 4 gola në 5 takime, teksa nuk ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës vetëm në ndeshjen e parë ndaj kampionëve në fuqi të Baselit.
Sadiku në 11-shen më të mirë të javës nga “Blick” është rreshtuar përkrah emrave të tillë si Miralem Sulejmani, Tranquillo Barnetta e Yanis Taffer. Blick e ka përshkruar me këto fjalë përfshirjen e Sadikut për të 3-ën javë rresht në formacionin më të mirë. “Shënon dhe shënon dhe shënon dhe shënon dhe shënon. Një lojë interesante fjalësh e të përditshmes në fjalë, që i referohet rendimentit të shkëlqyer të sulmuesit shqiptar gjatë kësaj periudhe.