Kampionia e Europës, Portugalia e nisi me një humbje fushatën eliminatore drejt Botërorit Rusi 2018, pasi u mund 2-0 nga Zvicra në Grupin B. Ekipi i Petkoviçit shfrytëzoi në maksimum faktorin fushë, duke zgjidhur në vetëm 6 minuta takimin, teksa në pjesën e parë shënuan Embolo dhe Mehmedi, ndërsa në pjesën e dytë Granit Xhaka u ndëshkua me të kuq. Në dy sfidat e tjera të grupit, Hungaria barazoi 0-0 me Ishujt Faroe, ndërsa Letonia triumfoi me një gol të Sabalas në Andora. Në Grupin A, Suedia dhe Holanda nuk arritën të nxjerrin një fitues mes tyre.
Suedia pa Zlatan Ibrahimoviçin, i tërhequr pas Europianit arriti të gjente epërsinë me anë të Marcus Bergut në fundin e pjesës së parë, por në të 67-ën, Wesley Sneijder riktheu barazpeshën për portokallinjtë. Franca gjithashtu nuk arriti të fitonte, pasi barazoi 0-0 në Bjellorusi, në një ndeshje ku vendasit dhe pse nuk goditën asnjëherë portën arritën t’i merrnin një pikë nënkampionëve të Europës. Bullgaria nuk e pati aspak të thjeshtë me Luksemburgun teksa fitoi me përmbysje 4-3 në shtëpi, ku vendimtar rezultoi goli i Tonevit në minutën e 92-të, vetëm pak sekonda, pasi Bonhert kishte çuar shifrat provizore në 3-3.
Në Grupin H u pëmbushën parashikimet me 3 të mëdhatë që arritën të fitojnë sfidën e tyre. Lulaku me një dygolësh rezultoi vendimtar në fitoren e Belgjikës ndaj Qipros 3-0, që njëkohësisht i dhuroi dhe një debutim me fitore trajnerit të ri, Martinez. Bosnje Hercegovina shkatërroi 5-0 Estoninë, ku spikati Spahiç me një dygolësh, ndërsa Greqia mund 4-1 Gjibraltarin në transfertë.
Giampiero Ventura u shfaq i kënaqur me fitoren e arritur nga të kaltërit në transfertë me Izraelin. Edhe pse luajti për më shumë se 35 minuta me një lojtar më pak pas daljes së Chiellinit me karton të kuq, Italia sipas Venturës luajti si skuadër dhe diti ta mbyllte ndeshjen. “Në çdo fushë ku do të luajmë duhet të kemi bindjen e të qenit skuadër. Patëm 5 minuta të vështira pas ndëshkimit të Chiellinit me karton të kuq, por mund ta mbyllnim më parë ndeshjen. Sigurisht që të luash 10 kundër 11 në eliminatoret e botërorit është gjithmonë e vështirë. Pjesa e parë ishte perfekte, përveç momentit të pësimit të golit. Besoj se këtë fitore e kemi arritur si skuadër”, tha ai. 68-vjeçari i kursen kritikat ndaj veteranit të Juventusit, madje gjen rastin të bëjë ndonjë batutë për kartonin e tij të 32-vjeçarit. Përsa i përket paraqitjes së Verrattit, Ventura shtoi se mbetet një lojtar i rëndësishëm për Italinë.