ZVRPP Durrës mban peng një qytetar, s’i regjistron shtëpinë

Emisioni investigativ “BOOM” në Ora News solli mbrëmjen e djeshme denoncimin e shtetasit Ylvi Domi nga Durrësi. Ky i fundit akuzon Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës se po e mbajnë peng regjistrimin e pronës së tij. Bëhet fjalë për një shtëpi 100-vjeçare që e ka blerë në vitet ’90, disponon të gjithë dokumentacion, por Hipoteka pretendon se ka mbivendosje prone.
“Kam një problem me Hipotekën. Kam një shtëpi 100-vjeçare, është shit në vitin ’72 me kontratë noteriale të rregullt. Në vitin ’75 e zonja e shtëpisë që ka blerë shtëpinë ka nxjerrë leje ndërtimi nga Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe dhe ka bërë shtesën pastaj me leje ndërtimi të rregullt të Komitetit Ekzekutiv dhe e ndërtuar me kredi bankare. Është një shtëpi e regjistruar në Hipotekë me numër 212 hipotekor. Në vitin ’90, kur unë e bleva shtëpinë duke parë që është me dokumentacion të rregullt, në vitin 2000 u detyrova pastaj të hapja një gjyq në Durrës që të njihesha pronar i ligjshëm i asaj prone. Gjykata më bëri të njohur për pjesën që ishte regjistruar në Hipotekë. Pas gjyqit e çoj në Hipotekë për ta regjistruar”, u shpreh Domi.
Drejtori i Hipotekës së asaj kohe më thotë shko në bankë dhe merr lejen e ndërtimit dhe kredinë bankare të shtesës që është bërë. Shkova në Bankë, në maj të 2001 kam marrë lejen e ndërtimit, shleva kredinë bankare 11140 lekë që kishte mbetur dhe mora lejen e ndërtimit dhe vërtetimin e Bankës. Ja çova drejtorit të Hipotekës bashkë me vendimin e gjyqit. Bëj një gjyq tjetër tha, gjyq fakti, se ty të kapin gjobat dhe të gjitha me vendimin e gjyqit që ke bërë në 2000. Do të shkojë më lirë tha. Gjyqi u bë me seksionin e Financës në 2004, që më bëri të njohur për të gjithë sipërfaqen e truallit. I çoj në Hipotekë dhe prapë nuk e pranon. Njëherë më kërkuan një plan rilevimi, e bëra.
Prapë më thanë nuk pranohen se ka dalë një urdhër që nuk pranohen vendimet e gjyqit. Ju drejtova Zyrës Qendrore. Lëshoi shkresën që detyron Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive në Durrës, të aplikoj atje që të më pajisin me çertifikatën hipotekore. Më kërkojnë një plan rilevimi. Detyrohem dhe bëj dhe një plan rilevimi. Pas kësaj e çoj në Hipotekë, përsëri zvarritje. Filloi Përmbarimi me procedurat e veta, i çuan dhe një shkresë ekzekutim vullnetar ZVRPP, por përsëri zvarritje. I çoi të dytën, të tretën. Në fund, Përmbarimi e gjobiti ZVRPP me 50 000 lekë.

Artikulli paraprakPolici humb jetën në krye të detyrës, Demiraj ngushëllon familjen
Artikulli tjetërHelmohen 11 gra e vajza të fabrikës së këpucëve, Rama asnjë reagim