Zyrtare, caktohet dita kur Milani kalon tek kinezët

Kalimi i pronësisë së Milanit nga grupi “Fininvest” i Berluskonit te “Sino Europe”, që kontrollohet nga kinezët, është shtyrë përsëri. Milani, me shumë gjasa, do të bëhet kinez në vitin 2017. Palët mësohet kanë arritur marrëveshjen për mbylljen përfundimtare të shitjes së klubit kuqezi më 3 mars 2017.
Zyrtarizimi erdhi me një komunikatë të nxjerrë nga të dyja kompanitë, në të cilën bëhet me dije se brenda datës 12 dhjetor, “Sino-Europe” do të derdhë në arkat e “Fininvest” edhe 100 milionë euro të tjera si kapar, që u shtohen 100 milionë eurove të derdhura në momentin e firmosjes së kontratës paraprake. Deri më 3 mars 2017 do të paguhen edhe rreth 500 milionë euro të tjera dhe Milani do të ndryshojë pronar në pranverë.
Në komunikatë shkruhej: “‘Fininvest’ dhe ‘Sino-Europe Sports’ kanë arritur marrëveshjen që e cakton më 3 mars 2017 datën kur do të bëhet transferimi përfundimtar i pronësisë së Milanit. ‘Sino-Europe Sports’ do të paguajë një shumë prej 100 milionë eurosh kapar”.

Artikulli paraprakBenitez kërkon te Newcastle Herrera-n
Artikulli tjetërTronditet Reali