Luka Modriç do të luajë në fundjavë ndeshjen e fundit në shtëpinë e Real Madrid. “Galaktikët” kanë zyrtarizuar vendimin për mbylljen e bashkëpunimit me 39-vjeçarin.
Eksperienca e fundit me Realin do të jetë në Botërorin e klubit. Kështu nga muaji korrik, nëse Modriç nuk tërhiqet nga futbolli do të ketë mundësinë për tjetër aventurë.
I bashkuar me Realin në vitin 2012, Modriç u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm. Plot 28 trofe të fituar, që e kthyen në legjendë.
Liga e Kampioneve dhe Botërori i klubeve u fituan nga gjashtë herë. Triumfi në Superkupën e Europës erdhi pesë herë, katër La Liga, dy Kupa të Mbretit dhe pesë Superkupa të Spanjës janë dëshmi e suksesit.
Suksesi më i madh individual gjatë kohës si lojtar i Realit ishte fitimi i Topit të Artë. Po ashtu lojtari më i mirë i FIFA-s dhe UEFA-s në vitin e paharrueshëm për të, 2018. Vendimi ishte disi i papritur, pasi vetë Modriç kërkonte të vazhdonte bashkëpunimin për të paktën edhe një sezon.