Zyrtarë të policisë në vrasjen e ish-shefit të Krimit Ekonomik

Zyrtarë të lartë të policisë të përfshirë në vrasjen e ish-shefit të Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Ervin Dalipaj dhe të riut nga Vlora, Juxhin Dauti. Gazetari investigativ Artan Hoxha deklaroi dje se, nën hetim është edhe një oficer i lartë, që merret me sektorin e ngjarjeve të rënda, i cili prej disa ditësh nuk është paraqitur në detyrë. “Kjo është një ngjarje e rëndë, dhe kemi të bëjmë me një zyrtar tjetër të policisë. Makina që përdorën viktimat ishte shumë e shpejtë dhe vështirë ta neutralizoje me një mjet të thjeshtë. Kamerat e sigurisë nuk janë kontrolluar ende të gjitha, se duhen ndjekur lëvizjet minutë pas minute. Nuk ka pasur shumë bashkëpunim mes bizneseve të zonës, pasi kanë pasur frikë. Ka një seri ngjarjesh që mbeten pa autorë dhe prandaj dëshmitarët kanë frikë, nuk kanë më besim. Rezultojnë të implikuar në këtë histori edhe zyrtarë të lartë të policisë. Një nga oficerët e policisë, është drejtues që merret në sektorin e ngjarjeve të rënda, nuk është paraqitur në detyrë, ka disa ditë. Është në listën e personave që duhet të paraqiten. Kam emra, por nuk i jap se dëmtoj hetimet. Ata ishin të dy me të shkuar jo të mirë”, u shpreh gazetari Hoxha.
Gjithashtu Artan Hoxha tha se, nuk dihet ende me siguri lidhja e dy vajzave që viktimat kishin takuar përpara, pasi Prokuroria ende s’ka bërë publike deklaratat e tyre. “Po drejtonin një makinë që kushton 120 mijë euro, me vete kishin 7000 euro. Kemi të bëjmë me njerëz që kanë burime financiare, Dauti rezulton se ka lëvizur me eskortë, dhe e dinte që ishte objektiv ekzekutimi. Pse pikërisht atë ditë ata ishin bashkë pa eskortë. Alibia që kanë përdorur autorët është e fortë. Nuk e dimë se çfarë lidhje kanë vajzat që ata kanë takuar. Pavarësisht se ç’është thënë në media, Prokuroria nuk ka bërë publike se çfarë kanë thënë vajzat”, tha Hoxha.

Vrasja ka lidhje me drogën

Hoxha deklaroi se vrasja mund të ketë lidhje me drogën. “Rasti konkret tregon se, nëse korrupsioni arrin në nivele të tilla i lidhur me drogën do të shkaktojë viktima, listë të cilën nuk e dimë se deri ku do të shkojë. Janë ngjarje tipike mafioze, si ngjarjet në Palermo e Korleone. Nuk kemi asnjë lloj përgjigje se pse u goditën, dhe në fund të fundit kush janë autorët. Në Tiranë e Durrës ka rrezik të fshihen autorët se janë zona të populluara. Policia e Shtetit ka probleme me informacionet, ka humbur rrjetin e informatorëve. Operacioni i kryer në zonën e Shijakut u bë më shumë për të treguar se kush është në krye të qytetit, por në fakt në Shijak ka grupe që banojnë aty, por aktivitetet kriminale i bëjnë jashtë shtetit”, tha ai.

Ç’lidhje ka me qeverinë pronari i Audit ku u vra Dalipaj?

Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti u ekzekutuan pak ditë më parë në një atentat mafioz tek mbikalimi i Sukthit. Ata udhëtonin me një makinë Audi luksoz në momentin që u qëlluan me breshëri kallashnikovi. Nga hetimet, rezultoi se makina Audi është në pronësi të një biznesmeni që jep makina me qira.
Gazetari investigative, Artan Hoxha duke folur në News24, tha se, i njëjti biznesmen që i kishte dhënë me qira makinën Ervin Dalipajt, më 17 prill i kishte ofruar qeverisë një makinë të blinduar për ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel gjatë vizitës në Tiranë. “Personi që iu dha makinën viktimave është i njëjti që qeveria u mori dhe makinën e blinduar, me të cilën udhëtoi edhe ministri i Jashtëm gjerman gjatë vizitës së tij në Shqipëri”, deklaroi gazetari Hoxha.

Nëse nuk zbardhet atentati do të ketë viktima të tjera

Gazetari Hoxha u shpreh se, do të ketë viktima të tjera nëse nuk zbardhet ngjarja kriminale ku humbën jetën ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj dhe mikut të tij Juxhin Dauti. Ai tha se, shpreson që këto viktima mos të jenë në radhët e policisë. “Nëse kjo ngjarje do të kalojë në një hetim me kohë afatgjatë, siç ishte ajo e Gazmend Çollakut, të jeni të sigurt që do të ketë dhe viktima të tjera. Shpresoj që mos të jenë në radhët e policisë”, tha Hoxha.
Po ashtu, ai tha se dy viktimat kishin lidhje me grupe kriminale të trafikut të drogës që ishin nën hetim. “Ajo që është më interesantja në këtë histori, është fakti se më interesantja se kanë pasur lidhje me persona që janë në hetim për përfshirje në trafik narkotikësh. Ata dyshohet se kanë pasur marrëveshje me persona nën hetim për një ngarkesë 1 ton e gjysëm, para që nuk kanë shkuar në destinacion. Po heton Prokuroria. Ervin Dalipaj për 6 muaj ka jetuar në Durrës, pasi ka pasur informator dhe që nuk do prekej. Organit të akuzës i del një punë e madhe”, theksoi ai.

Hetimet e Prokurorisë

Prokuroria po vijon hetimet për vrasjen e ish-shefit të Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës, Ervin Dalipaj, si dhe mikut të tij, Juxhin Dauti. Bëhet e ditur se, hetimet janë drejtuar mbi një grup kriminal që dyshohet se ka aktivitet në zonën e Durrësit. Për zbulimin e autorëve po verifikohen kamerat e sigurisë për të zbuluar autorët. Personat që kryen atentatin kanë vepruar për 60 sekonda. Sipas hetuesve të çështjes, makina tip “Audi S8” me targa AA 111 OI u qëllua me 32 plumba kallashnikovi nga dy automjete, një “Audi A3” dhe një “BMW X5” me ngjyrë të zezë. Fakti që autorët e krimit kanë qenë me dy makina është zbuluar pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, që iu sekuestruan bizneseve që ndodhen në autostradën Durrës-Tiranë, afër vendit të ngjarjes.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, dy viktimat fillimisht kanë qëndruar në autoservisin, i cili është jo më shumë se 300 m larg prej vendit të atentatit, me një fushëpamje absolute. Në autoservis, 38-vjeçari Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dautaj janë takuar me dy vajza, të cilat kishin mbërritur aty me një automjet “Smart”. Më pas, sapo kanë dalë nga dera e autoservisit, i cili mbikëqyret me 4 kamera filmike e rezolucion të lartë, dy viktimat janë ndeshur me një makinë “BMW X5”, jo më shumë se 15 m distancë në anë të rrugës. Këtu rruga ka fushëpamje absolute edhe nga pjesa e kodrës ku gjenden shtëpitë e banorëve të zonës. Dyshohet që rreth 30 m distancë, për nga kthesa në drejtim të Shijakut, makinën e viktimave e priste një automjet tip “Audi A3” ngjyrë gri.
Hetuesit thonë se po verifikojnë të gjitha përplasjet mes grupeve kriminale duke përfshirë disa ngjarje të rënda të ndodhura vitin e fundit. Një prej tyre është vrasja e Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt të vrarë, mbrëmjen e të dielës së 22 dhjetorit 2016 në afërsi të një lokali pranë portit të Durrësit. Edhe pse dyshimet e policisë kanë qenë të forta, se këto vrasje kanë pasur lidhje mes tyre, ende nuk janë gjetur prova të forta që identifikon autorët e mundshëm të këtyre krimeve.
Policia e Durrësit po heton edhe pistën e hakmarrjes që lidhet me vrasjen e Fation Banit në Vlorë nga Juxhin Dauti. Policia ka shoqëruar dhjetëra persona të dyshuar apo që mund të kenë pasur informacione në lidhje me krimin. Të enjten dhe të premten, të ndihmuar nga njësitë e RENEA-s, policia e Durrësit kreu një sërë kontrollesh në Shijak dhe Durrës me qëllim gjetjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së dyfishtë.

Artikulli paraprakAleanca e qelbësirave thelloi krizën me Metën
Artikulli tjetërSenatori McCain kërkon ndërhyrjen e SHBA për krizën në Shqipëri