Zyrtarët e “listës së zezë” të Ramës emërohen në poste të larta shtetërore

Në korrik, menjëherë pas rizgjedhjes së tij si kryeministër, Edi Rama publikoi “listën e zezë” të 101 nëpunësve publikë dhe zyrtarëve të akuzuar për “sjellje negative” ndaj qytetarëve. Denoncimi nga opozita dhe organizatat e të drejtave civile ishte i menjëhershëm, ndërsa kryeministri Rama i mbrojti akuzat e tij publike në postin e radhës në Facebook:
“‘Lulet mos më prek’ dhe gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma! Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm Për Shqipërinë që Duam, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh dixhitale nga qytetarë dixhitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij!”.
Tani që “ferri” i platformës së bashkëqeverisjes është vënë në funksion, e Kryeministri Rama ka shkarkuar zyrtarë të tjerë vetëm me fjalën e tij, disa herë dhe nëpërmjet Facebookut, ndoshta është e udhës të shihet se çfarë ka ndodhur me disa nga ata nëpunës që u denoncuan në listën e zezë të 13 korrikut.
Numri 62 në listën e Ramës ishte Bruna Mersini, ish-drejtore e Spitalit të Vlorës. Mersini ishte ndër drejtorët që më vonë u shkarkua menjëherë nga Rama për shkak të “menaxhimit të papranueshëm”. Në tetor, zonja Mersini u emërua nënkryetare e Bashkisë në Vlorë, një bashki e drejtuar nga Partia Socialiste.
Ani Dyrmishi renditej i 28-ti në listën e Ramës, drejtor i Hipotekës në Durrës. Zoti Dermishi po ashtu u shkarkua nga Rama, së bashku me drejtorët e tjerë të Hipotekave në fund të korrikut. Sipas gazetës “Panorama”, Dyrmishi tani është emëruar drejtor i ri i Hekurudhave shqiptare, ku priten investime të mëdha të BE-së. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka hasur probleme serioze në gjetjen e zëvendësimit të kualifikuar për të gjithë drejtorët e Regjistrit të Pasurive të shkarkuar nga Rama.
Ndryshe nga ajo që kryeministri Edi Rama dëshiron që shqiptarët të besojnë, qeveria e tij nuk është e interesuar të shkarkojë ata nëpunës që “abuzojnë” me qytetarët. Përkundrazi kjo është vetëm një mënyrë për të lëvizur të besuarit e saj nga një post në tjetrin.

 

Artikulli paraprakVokshi: Koncesionet po rrënojnë sistemin shëndetësor
Artikulli tjetërLSI: Rama të zgjidhë kërkesat, në të kundërt të dorëhiqet