Zyrtarët që përdorin makinat shtetërore për interesa private

Nga Lindita Çela/ shteg.org

Në shkurt të vitit 2025, Ministrja e Transportit në Australi, Jo Haylen, dha dorëheqjen pasi një investigim mediatik zbuloi se kishte përdorur makinën ministrore për çështje personale. Për më tepër, u raportua se ajo kishte angazhuar një shofer të paguar nga shteti për të transportuar veten dhe fëmijët në aktivitete sportive gjatë fundjavave.

“Të gjithë bëjmë gabime; askush nuk është i përsosur,” tha Haylen me përulësi, teksa lexoi publikisht deklaratën e dorëheqjes. Një akt që, në demokracitë funksionale, shihet si minimumi i përgjegjësisë institucionale ndaj taksapaguesve.

Në Angli, ish-shefi i kabinetit të Guvernatorit Ned Lamont u zbulua po nga media se përdori një automjet shtetëror për udhëtime personale që nuk kishin lidhje me punën. Jonathan Dach, i cili u largua nga pozita e shefit të kabinetit verën e kaluar ndërsa autoritetet atje nisën edhe hetimet ndaj zyrtarit të lartë.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për të kuptuar se raste të tilla nuk janë të rralla: zyrtarë të lartë në vende perëndimore janë detyruar të japin dorëheqjen për përdorim personal të burimeve shtetërore. Dhe reagimi është zakonisht i njëjtë, kërkim ndjese publike dhe largim nga posti.

Por jo në Shqipëri. Kur zyrtarët kapen “gafil” nga mediat, nuk kërkojnë falje. Nuk japin dorëheqje. Nuk shfaqin as pendesë. Në vend të kësaj, kërcënojnë gazetarët, i etiketojnë si “maniakë”, “legenë” dhe “turpi i gazetarisë”, duke u përpjekur të shmangin transparencën me arrogancë institucionale dhe viktimizim personal.

Ky është rasti i fundit me kryetaren në detyrë të Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, që pas zbulimeve të emisionit investigativ “Piranja” për përdorimin privat të makinës dhe shoferit të bashkisë, nuk dha asnjë sqarim mbi thelbin e akuzave, por sulmoi median dhe e akuzoi për “shantazh” dhe “terror psikologjik”.

Si u kthyen makinat publike në shërbëtorë familjarë

Kryetarja e Bashkisë Tiranë dhe gazetari Edon Kuqi
Credits: shteg.org – Kryetarja e Bashkisë Tiranë dhe gazetari Edon Kuqi

Gjatë një vëzhgimi disaditor të emisionit “Piranjat”, gazetarët dokumentuan përdorimin e makinave zyrtare të Bashkisë së Tiranës për nevojat private të familjes së kryetares Anuela Ristani.

Sipas raportimit, “makina e bardhë me targa AB649LD, pronë e bashkisë, ndalet çdo mëngjes për të marrë zotin Bledi Cikopana“, bashkëshorti i kryetares dhe punonjës në presidencë. Në të njëjtën kohë, një tjetër mjet bashkiak përdoret për ta shoqëruar fëmijët e saj në shkollë.

Ndërkohë, një tjetër mjet bashkiak me targë AB338OA përdoret për nevoja të tjera familjare, përfshirë edhe dërgimin e fëmijës në shkollë. Vetë zonja Ristani, në vend që të niset drejt zyrës, nis ditën me një seancë në palestër dhe shfaqet në zyrë vetëm pas orës 9:00 të mëngjesit.

Gazetarët ngritën pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe etikën e këtij përdorimi të resurseve publike. Pavarësisht përpjekjeve për të marrë një qëndrim nga vetë Ristani, ajo nuk pranoi të sqarojë përdorimin e automjeteve publike nga familjarët e saj.

Në vend të një sqarimi, pamjet tregojnë se znj. Ristani u përfshi edhe sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarit Edon Kuqi dhe ekipit të “Piranjas”, duke përdorur terma si “legenë”, “maniakë”, dhe “turpi i gazetarisë”.

Ndërsa në faqen e saj të facebook-ut ajo bëri një deklaratë të gjatë ku ngrinte pretendime ndaj emisionin Piranja për “shantazh”, “përndjekje fizike” dhe “terrorizëm psikologjik” ndërsa bëri të ditur se i ka dorëzuar të gjitha provat dhe dokumentet pranë autoriteteve dhe do të ndjekë çështjen ligjërisht.

Ajo e zhvendosi theksin nga hetimi për përdorimin e burimeve publike, në një reagim emocional ndaj raportimit.

“Ky nuk është një reagim për mua si përfaqësuese publike, por si nënë, bashkëshorte dhe qytetare. Sepse kur dhuna mediatike shndërrohet në ndjekje fizike të fëmijëve të mitur, atëherë nuk kemi më të bëjmë me gazetari,” – shkroi Ristani.

Ajo mohoi çdo tentativë për të ndalur publikimin e materialit dhe i quajti shpifje akuzat për ndërhyrje në faqet e emisionit në rrjetet sociale: “Unë nuk kam frikë nga e vërteta … Por të përndjekësh fëmijë, është e ulët edhe për gjobaxhinjtë më të pacipë,” – theksoi ajo.

Megjithatë, nuk pati një shpjegim të qartë lidhur me arsyet e përdorimit të mjeteve të bashkisë nga familjarët, apo për faktin që aktivitetet private të saj ndodhnin gjatë orarit të punës zyrtare.

Ndërkohë, reagimi i znj. Ristani përfshiu edhe sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarit Edon Kuqi dhe ekipit të “Piranjas”, duke përdorur terma si “legenë”, “maniakë”, dhe “turpi i gazetarisë”.

Ndaj deklaratave të znj. Ristani ka reaguar  Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili e cilëson gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe të rrezikshme.

“Znj. Ristani, në vend që t’u përgjigjej me transparencë pyetjeve legjitime të ngritura nga një investigim gazetaresk mbi përdorimin e resurseve publike, zgjodhi të shantazhojë verbalisht gazetarin dhe të përpiqet të viktimizohet,” – thuhet në deklaratën zyrtare të Asociacionit.

Sipas tyre, sulmet e tilla bien ndesh me etikën institucionale dhe përbëjnë një kërcënim ndaj lirisë së shtypit në Shqipëri.

“Çdo tentativë për ta kriminalizuar këtë mision përmes etiketimeve si ‘përndjekje’, ‘shantazh’ apo ‘terrorizëm psikologjik’, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit,” – theksohet më tej.

Gazetaria si mbrojtje e interesit publik

Liria shprehjes
Credits: Respublika – Liria shprehjes

“Safe Journalists Albania” thekson se raportimi për përdorimin e aseteve shtetërore për qëllime private nuk përbën shkelje të privatësisë, nëse është në funksion të interesit publik. Ata kujtojnë se, sipas standardeve ndërkombëtare, “jeta private e zyrtarëve mund të raportohen vetëm kur lidhet drejtpërdrejt me detyrat publike.”

Rasti i znj. Ristani nuk është i pari dhe as i vetmi ku zyrtarë të lartë në Shqipëri janë kapur nga emisioni “Piranjat” duke përdorur asetet publike për qëllime personale.

Ish-ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, kishte vënë në dispozicion të nënës së saj notere një makinë të ministrisë. Një fuoristradë e zezë e Ministrisë së Jashtme e dërgonte çdo ditë të moshuarën në një noteri ngjitur me shkollën “Edith Durham”, dhe makina qëndronte aty gjithë ditën, në dispozicion të saj.

Ish-drejtoresha e “Illyrian Guard”, një tjetër institucion publik, u kap nga gazetarët duke përdorur makinën e institucionit për të çuar fëmijët në shkollë.

Ish-kryetari Erion Veliaj është filmuar duke përdorur mjetet e bashkisë për të çuar çdo mëngjes djalin e tij në kopsht.

Në të gjitha rastet, përdorimi i makinës dhe shoferëve të administratës shtetërore për dërgimin e bashkëshortit dhe të fëmijës, apo familjarëve të tjerë në aktivitete ditore është i lidhur qartazi me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe si i tillë, është absolutisht i raportueshëm.

Por si në të gjitha rastet, në vend që të kërkohet ndjesë dhe të sqarohet opinionin publik, edhe znj. Ristani zgjodhi të viktimizohej dhe të sulmonte median, duke shmangur thelbin e çështjes me abuzimin me mjetet publike.

Dallimi mes një vendi me institucione funksionale dhe një shteti me kulturë arrogante pushteti bëhet i qartë pikërisht në këto momente: në Australi, një ministre jep dorëheqje për një makinë. Në Shqipëri, një kryetare bashkie sulmon gazetarin që e zbulon.

Artikulli paraprakIzolimi i elitës së dijes edhe forcimi i elitës së pushtetit edhe famës!
Artikulli tjetërTë rinjtë shqiptarë ndër më të paaftët për zotësi digjitale në Evropë