Zyrtari amerikan vizitë në Prishtinë, Osmani: Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë marrëveshje për “dialog strategjik”

Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë.

 

Zyrtari amerikan u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Departamenti i Shtetit, njoftoi para takimit se zyrtari amerikan pritet të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

Lidhur me vizitën e zyrtarit në Kosovë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do ta finalizojnë “së shpejti” një marrëveshje për “dialog strategjik” mes dy vendeve.

Ajo tha se ekipet e dy vendeve do të takohen “së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës! Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik. Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës.

Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Vjosa Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan.

Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma po zhvillon vizitën në Kosovë si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor.

Ditën e djeshme ai qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë turin me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e tij po zhvillohet rreth dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Artikulli paraprakKonfirmohen 10 viktima nga zjarret në Los Angeles, ekspertët: Një nga katastrofat më të kushtueshme të zjarreve në historinë moderne të SHBA-ve
Artikulli tjetërShqiptarët, më të shqetësuarit në rajon për kostot shëndetësore! Ç’tregoi anketa: Nuk janë në gjendje të përballojnë shpenzimet për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekime