Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ka deklaruar se Shqipëria do të duhet që t’i mbajë zgjedhjet në 18 qershor sikurse dhe është planifikuar, por ka shtuar që për të zgjidhur krizën politike duhet të ketë dialog mes mazhorancës dhe opozitës.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës nga Prishtina ku ndodhet për vizitë zyrtare, megjithëse nuk e përmendi, zyrtari amerikan nuk tha asnjë fjalë të vetme kundër krijimit të një qeverie teknike, kërkesë kjo e opozitës.
Zyrtari Hoyt Brian Yee thekson disa herë se, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 18 qershor dhe jo të mbahen, duke lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, nëse kriza politike nuk gjen zgjidhje.
“Është shenjë shumë e mirëseardhur që disa shtete, Shqipëria për shembull – Shqipëria do të duhej së paku, të mbajë zgjedhjet e saj me orar të rregullt në qershor, me 18 qershor besoj. Atje ne e nxisim opozitën dhe gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje në plotëni, jo që t’i bllokojnë zgjedhjet.
Dhe, nëse ka probleme ne besojmë se opozita dhe qeveria duhet të kenë dialog që të zgjidhin problemet në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira të drejta. Kur të vijë koha – dhe për këtë ka orar sipas ligjit se kur duhet të mbahen zgjedhjet – ne shpresojmë se edhe në Kosovë zgjedhjet do të mbahen në mënyrë të lirë dhe të drejtë. Jo si shteg i ikjes dhe jo si mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë”, thotë ndër të tjera Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee.
Mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve për të garantuar sigurinë e votës është një tezë e artikuluar nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili thotë se ka marrë mbështetje nga administrata Trump për kauzën e opozitës. Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama vazhdon të përsërisë qëndrimin e tij se zgjedhjet nuk do të shtyhen, por do të zhvillohen në datën e caktuar 18 qershor.
Zyrtari amerikan i Departamentit të Shtetit, Yee, ka thënë në një intervistë për një media të Kosovës se duhet dialog mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri “që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme”, ndërkohë kjo frazë është fshirë fare nga përkthimi. Një manipulim i tillë është tipik për mediat “fake news” nën kontrollin e qeverisë dhe të pushtetit. Ata kanë dhënë të shkëputur nga ky nëntekst vetëm deklaratën se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje dhe se ato duhet të mbahen në 18 qershor. Përse bëhet ky manipulim është fare e qartë. Mediat Fake news kërkojnë të mohojnë realitetin. Këmbanat po bien me forcë nga ndërkombëtarët, të cilët shohin se në Shqipëri ka një problem të madh me zgjedhjet dhe kërkojnë si fillim dialogun.