Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global i qeverisë Amerikane, Richard Nepheë ndodhet në Tiranë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.
Një takim pasditen e sotme pati dhe me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorë të SPAK dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të drejtësisë.
Gjithashtu nga fotot e postuara në facebook duket që Richard Nepheë ka parë nga afër malin e dosjeve në zyrat e SPAK.
“Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nepheë pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Nepheë dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së.
SHBA-të janë të përkushtuara për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë
Më parë pati një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias shqiptare për të dëgjuar mbi pikëpamjet e tyre për luftën kundër korrupsionit dhe çuarjen përpara të transparencës në qeverisje.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në shkallë globale, përfshirë duke mbështetur organizatat që luajnë një rol të rëndësishëm mbikëqyrës” ka thënë Nepheë në takim, informon ambasada amerikane.
Nepheë është pritur nga i dërguari i SHBA në vendin tonë, David Wisner.
Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, ambasada shkruan se vizita e të dërguarit të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken riafirmon mbështetjen SHBA në luftën kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi.
“Sot ne mirëpresim Richard Nepheë, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Kundër Korrupsionit Global. Nepheë po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë”, shkruan ambasada e SHBA.
Biden zgjati urdhrin për gjëndjen e jashtëzakonshme në Ballkanin Perëndimor.
Vizita vjen 5 ditë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden zgjati edhe një vit urdhrin ekzekutiv për gjendjet të jashtëzakonshme në Ballkan, duke vlerësuar se situata në Ballkan vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Për këtë arsye, sipas njoftimit, gjendja e jashtëzakonshme për Ballkanin duhet të mbetet në fuqi edhe pas datës 26 qershor 2024. Më 8 qershor 2021, u miratua “Urdhri Ekzekutiv 14033”, i cili zgjeroi shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar.
Në këtë urdhër thuhet se situata në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit – duke përfshirë cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas rënies së Jugosllavisë, si dhe korrupsionin e përhapur në qeveri dhe institucione të ndryshme në Ballkani – pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.
Takimi me përfaqësues të drejtësisë e sulmi i Berishës e Metës
Pjesë e axhendës së takimeve është dhe ato me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë ku pritet të theksohet edhe mbështetja e Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Kjo vizitë vjen në një kohë kur SPAK po sulmohet nga ish kryeministri Sali Berisha në hetim për korrupsion dhe i shpallur non grata nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar por dhe nga aleati i tij Ilir Meta, ish president i Shqipërisë.
Edhe sot në tryezën e rrumbullakët me donatorë organizuar nga ministria e Brendshme, zëvendës shefja e Misionit në detyrë e Ambasadës së SHBA-ve, Kathryn Hammand tha se SHBA po investojnë në forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, por shtoi se kjo është një detyrë që nuk mund të bëhet vetëm dhe kërkon veprime dhe përpjekje nga të gjithë institucionet dhe aktorët.
“Zyrtarë të korruptuar janë duke dhënë llogari para drejtësisë, anëtarë të krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbin pasuritë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, që po ecën përpara, – tha zonja Hammand. – SHBA-të, – shtoi ajo, – do të vazhdojnë ta mbështesin fort Shqipërinë dhe përpjekjet e saj, të cilat janë thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Europian, çka populli shqiptar dëshiron”.