Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, filloi sot një vizitë dyditëshe në Prishtinë, ku po takohet me një pjesë të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.
Zoti Yee u takua me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli dhe përfaqësuesit e listës serbe, subjektit politik të serbëve të Kosovës si dhe ministren për dialog, Edita Tahiri.
Vizita e Zëvendës/ndihmës Sekretarit amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, ndodh në një periudhë diskutimesh për ngritjen e ushtrisë së Kosovës që ka nxitur debate edhe me aleatët e Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, kanë shtyrë përpara çështjen e ndryshimeve nëpërmjet ligjit të detyrave dhe misionit të Forcave të Sigurisë, duke nxitur reagimin e NATO-s dhe ambasadës amerikane që u shprehën të shqetësuara me paralajmërimet për ndërrimin e mandatit të kësaj force pa ndryshime kushtetuese. Ato kanë paralajmëruar edhe shqyrtimin e bashkëpunimit dhe përkrahjes për këto forca, në rast se një ligj i tillë miratohet.
Në agjendën e takimeve të zotit Hoyt Yee nuk është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e as kryeministri Isa Mustafa. Për këtë të fundit u tha se është jashtë vendit.
Kjo është hera e parë që një nismë e autoriteteve në Kosovë nxit reagime të tilla të Shteteve të Bashkuara, roli i të cilave në Kosovë vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset që çuan në çlirimin e saj në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.
Projektligji për ndryshimin e mandatit dhe detyrave të Forcave të Sigurisë së Kosovës pritet që të shqyrtohet nga qeveria, e cila në një afat prej një muaji duhet të kthejë përgjigje për këto ndryshime. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përkrahur themelimin e ushtrisë, por siç është shprehur ai, duke iu qëndruar besnikë marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO.
Ky vendim ka nxitur edhe reagimin e Beogradit zyrtar dhe përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, të cilët kundërshtojnë këtë nismë, duke e cilësuar atë të rrezikshme për rajonin, ndërsa kanë thënë se një gjë të tillë nuk do të duhej të bëhej pa mbështetjen e të gjithëve.
Shndërrimi i mandatit dhe detyrave të Forcave të Sigurisë ka gjetur mbështetje te shumica e partive politike në Kosovë, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të votuar këto ndryshime, por kanë kërkuar bashkërendim me faktorin ndërkombëtar.