Shefi i Zyrës së NATO-s në Beograd, Giampiero Romano, duke folur për vendimin për fushatën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër ish- Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi) në vitin 1999, tha sot se Aleanca “krijoi bazën për ndërprerjen e armiqësive dhe luajti një rol kyç në përfundimin e konfliktit dhe krizës humanitare”.
Gjenerali i NATO-s në Serbi tha se fushata ajrore “krijoi themelet jo vetëm për ndërprerjen e armiqësive, por edhe për një kornizë të re të sigurisë së përhershme në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin,” tha gjeneral brigade Giampiero Romano, shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike në Beograd për Zëri i Amerikës (edicioni në serbisht).
Romano saktësoi se vendimi për të ndërhyrë në mars të vitit 1999 është marrë pas më shumë se një viti luftimesh në Kosovë dhe përpjekjeve të pasuksesshme për zgjidhjen e konfliktit në rrugë diplomatike me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Gjenerali italian tha se “gjatë viteve ’90-ta, NATO luajti një rol kyç në përfundimin e konflikteve dhe krizave humanitare në rajon.”
Zëri i Amerikës raporton se edhe një çerek shekulli pas ndërhyrjes së NATO-s në RFJ, nuk dihet numri zyrtar i viktimave dhe se Serbia nuk ka publikuar asnjëherë të dhëna për të vdekurit nga pala serbe, ndërsa në opinion është thënë se ishin nga 1200 deri në 4000. Ndërhyrja e NATO-s përfundoi pasi një marrëveshje ushtarako-teknike u nënshkrua më 10 qershor 1999 në Kumanovë. Autoritetet në Beograd ranë dakord për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë nga Kosova dhe Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s – KFOR u vendosën në Kosovë dhe vazhdojnë të jenë atje.
“Mandati i misionit paqeruajtës NATO – KFOR, i krijuar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1999, është të mundësojë lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Romano, duke theksuar se prania e forcat paqeruajtëse në Kosovë kanë qenë për më shumë se dy dekada treguesi më i dukshëm i përkushtimit për siguri të përhershme. Ai tregoi se Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e ka përsëritur këtë gjatë vizitës së tij në rajon në nëntor të vitit të kaluar. Romano tha se situata në Kosovë është e qetë, por ende e ndjeshme, dhe vuri në dukje se “për shkak të tensioneve të shtuara në Kosovë vitin e kaluar, KFOR-i ka rritur praninë e tij, që përfshin vendosjen e trupave dhe patrullave shtesë”.