Policia e Australisë ngarkoi kardinalin e lartë të Vatikanit me akuza të shumëfishta për krime seksuale, një veprim tronditës që sigurisht do të godasë nivelet më të larta të Selisë së Shenjtë.
Kardinali George Pell, këshilltari financiar i Papës dhe zyrtari më i lartë i Kishës Katolike australiane, i mohoi akuzat dhe paralajmëroi se do të largohet nga Vatikani për t’u kthyer në Australi për t’u përballur me akuzat.
Zëvendëskomisioneri i policisë së shtetit Victoria në Australi, Shane Patton, tha se policia i ka dërguar një thirrje kardinalit Pell që të paraqitet në një gjykatë australiane për t’u përballur me akuza të shumëfishta për “vepra penale të sulmeve historike seksuale”, që do të thotë, shkelje që kanë ndodhur kohë më parë. Patton tha se ka shumë ankues kundër Pellit, por nuk dha hollësi të tjera mbi akuzat kundër kardinalit. Pell u urdhërua të paraqitet në një gjykatë në Melburn më 18 korrik.
Pell, 76-vjeçar, ka mohuar në vazhdimësi pretendimet për keqpërdorime nga ana e tij. Kisha Katolike në Australi, që ka lëshuar komunikata në emër të kardinalit Pell, nuk ka pranuar të komentojë akuzat.
“Është me rëndësi të theksohet se asnjë nga pretendimet nuk është provuar në ndonjë gjykatë”, u tha Patton gazetarëve në Melburn. “Kardinali Pell, si çdo i pandehur tjetër, ka të drejtë në një proces të rregullt”, tha ai.
Akuzat janë një goditje e re dhe serioze për Papa Françeskun dhe politikën e tij të zotimit për “zero tolerancë” ndaj keqpërdorimeve seksuale.