
Shumica ka zyrtarizuar në Parlament vendimin e anti-amerikan të qeverisë për votën kundër SHBA në OKB për njohjen e Jeruzalkemit si kryeqytet të Izraelit. Me shumicë votash, shumica ka rrëzuar projekt-rezolutën e opozitës që kërkonte distancim dhe rishikim nga vota në OKB.
Partia Demokratike i paraqiti Kuvendit për miratim një projekt-rezolutë në lidhje me votën kundër të Shqipërisë ndaj SHBA-së në Kombet e Bashkuara, votim i kryer pas qëndrimit të shpallur nga Presidenti Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.
Përmes pr/rezolutës i kërkohet Kuvendit të Shqipërisë të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikata Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit lslamik, më 13 dhjetor 2017.
Gjithashtu i kërkohet të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të datës 21 dhjetor 2017, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kësaj rezolute.
Po kështu, kërkohet që brenda një muaji, qeveria të informojë Kuvendin lidhur me përmbushjen e detyrave si më lart.
Rezoluta e plotë
Megjithë kërkesat e vazhdueshme të Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, vijon të mos konsultohet me pushtetin ligjvënës, mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Në këtë frymë mungese bashkëpunimi dhe konsultimi, ishte edhe qëndrimi i mbajtur nga qeveria shqiptare lidhur me Deklaratën e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të mbledhur në Stamboll më 13 dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jeruzalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, pa asnjë proces konsultimi dhe informimi, ishte edhe vota pro në OKB ndaj Rezolutës “Për statusin e Jeruzalemit”, të miratuar më 21 dhjetor 2017.
Në këtë drejtim, vlerësojmë se qëndrime të tilla janë të papranueshme dhe Kuvendi duhet menjëherë të distancohet dhe të kërkojë nga qeveria, të ndërmarrë hapat e nevojshme për rregullimin e kësaj situate. Ndërmarrja e veprimeve aktive në kundërshtim me qëndrimin e partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të përkrahen nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, sepse kjo bie ndesh me interesin tonë kombëtar dhe interesat e qytetarëve shqiptarë.
Nisur nga sa më lart, në mbështetje të nenit 98 dhe 99 të Rregullores së Kuvendit, paraqesim këtë mocion me qëllim zhvillimin e një debati në Kuvend për qëndrimet e papranueshme të qeverisë shqiptare mbi këtë çështje, sipas tekstit bashkëlidhur kësaj kërkese për zhvillimin e mocionit. Në mbështetje të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim nga Kuvendi i Shqipërisë të projekt-rezolutës “Për ndryshimin e qëndrimit të mbajtur nga qeveria shqiptare mbi rezolutën ‘Për statusin e Jeruzalemit’” të OKB të datës 21 dhjetor 2017.
Duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe në botë;
Duke qenë të vetëdijshëm për rolin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) luajnë e do të luajnë për tejkalimin e konflikteve, bashkekzistencën dhe vendosjen e demokracisë në atë rajon;
Duke pasur një besim të patundur se pozicionimi amerikan është në mbrojtje të vlerave, lirisë dhe parimeve universale;
Duke konsideruar SHBA si partnerin kryesor gjeostrategjik të vendit tonë, Kosovës së lirë, shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo ku janë;
Duke provuar konkretisht këtë rol të padiskutueshëm amerikan si fakton kryesor i arritjeve madhore jo vetëm për kombit tonë, por edhe për të gjithë rajonin tonë;
Duke shprehur miqësinë ndaj Shtetit të Izraelit, një vend mik dhe demokratik në Lindjen e Mesme;
Duke shprehur miqësinë ndaj popullit palestinez e duke përkrahur të drejtën e tij për të patur një shtet të qëndrueshëm përmes negociatave e marrëveshjes;
Duke mbështetur pa rezerva procesin e paqes përmes negociatave mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, bazuar në vizionin e dy shteteve fqinjë e në paqe me njëri-tjetri e me vendet e rajonit;
Duke apeluar OKB, SHBA, BE dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë që të angazhohen në procesin e paqes në mënyrë aktive e konstruktive ne Lindjen e Mesme;
Duke konstatuar se disa komunikata e rezoluta të miratuara në dhjetor 2017 për këtë çështje janë të njëanshme, jokonstruktive, me gjuhë të papërshatshme dhe nuk i shërbejnë procesit të paqes e gjetjes së një marrëveshjeje mes palëve;
Duke qenë të shqetësuar nga miratimi nga ana e qeverisë shqiptare i Komunikatës Finale dhe Deklaratës së Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, të mbledhur në Stamboll më 13 dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jeruzalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj SHBA, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme;
Duke qenë të shqetësuar nga vota pro e qeverisë shqiptare për Rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit”, të miratuar më 21 dhjetor 2017 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, përmbajtja e së cilës nuk ndihmon në procesin e paqes dhe i kundërvihet qëndrimit të një vendi sovran, SHBA-ve, që kanë rol thelbësor për zgjidhjen e problemeve aty;
Duke gjykuar se miratimi nga ana jonë e këtyre rezolutave, që godasin vendimin e SHBA, është edhe një akt flagrant në kundërshtim me interesat tona kombëtare;
Duke shprehur keqardhje që këto veprime të qeverisë u bënë pa informuar Kuvendin e pa u konsultuar me Komisionin e Punëve të Jashtme, si dhe duke përjashtuar Presidentin e Republikës nga procesi konsultativ vendimmmarrës;
Kuvendi i Shqipërisë:
I kërkon menjëherë qeverisë:
1. Të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikatat Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, më 13 dhjetor 2017.
2. Të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të datës 21 dhjetor 2017, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kësaj rezotute.
3. Të informojë brenda një muaji Kuvendin lidhur me përmbushjen e detyrave si më lart.