1.4 ton drogë me gomone nga Shqipëria kapen në Itali

Plot 1.4 ton drogë ka sekuestruar policia italiane në dy operacione në Bari dhe në Brindizi. Mediat italiane bënë të ditur dje se, 1 ton kanabis është sekuestruar nga policia italiane pasditen e së mërkurës në Bari. Sipas mediave italiane, operacioni u krye nga Reparti Operativ Aerodetar i Guardia di Finanza i Barit me mbështetjen e avionit të agjencisë “Frontex”.
Gomonia 8 metra e gjatë drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me inicialet A.Dh, 51 vjeç, dhe E. A, 25 vjeç, të cilët u ndaluan dhe u arrestuan nga Reparti Operativ Aerodetar i Guardia di Finanza të Barit”.
Ndërkohë, Policia italiane sekuestroi dje rreth 400 kg drogë në Brindizi dhe vuri në pranga dy shtetas. Mediat italiane shkruajnë se, gjatë operacionit të koduar “Progetto Pusher” autoritetet italiane arritën të zbulojnë e sekuestrojnë plot 394 kg marijuanë si dhe të arrestojnë poseduesit shqiptarë.
Sipas policisë italiane, droga ishte futur nga Shqipëria në Itali. Dy shtetasit shqiptarë Arben Ismaili, 39 vjeç dhe Nezir Vokrri 28 vjeç, e kishin fshehur sasinë me madhe të drogës në një ndërtesë në komunën Sbitri të provincës së Brindizit, raportojnë mediat italiane.
Dy shqiptarët u arrestuan gjatë ruajtjes së lëndës narkotike, gjë që e bënin çdo ditë. Përveç Ismailit dhe Vokrrit, edhe një 52- vjeçar italian po hetohet nga policia si bashkëpunëtor i tyre. Policia po punon për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.
Para katër ditësh u sekuestruan 2 ton drogë të nisur nga Shqipëria nga autoritetet italiane dhe greke. Ngarkesa e lëndës narkotike po transportohej me skaf, kur u zbulua nga rojet kufitare greke dhe ato italiane. Mediat greke bënë të ditur se, forcat e policisë greke dhe italiane kanë ndjekur për disa orë në det skafin e ngarkuar me drogë. Sikurse bëjnë me dije mediat greke, 3 personat që ndodheshin në skaf hodhën në det pakot me kanabis sativa, për të lehtësuar peshën në mënyrë që të mund t’i shpëtonin kapjes nga autoritetet.
Një helikopter po patrullonte nga ajri ndjekjen në det, që më pas vazhdoi në ujërat territoriale shqiptare. Skafistët u drejtuan drejt bregdetit shkëmbor shqiptar, ku dhe mundën t’i shpëtonin rojeve bregdetare italiane dhe greke.
Autoritetet greke dhe ato italiane mblodhën 122 pako të mbushura me kanabis sativa, që ishin hedhur në det. Nga peshimi rezultoi se bëhet fjalë për një ngarkesë prej 2 ton drogë. Sa i përket autorëve, ata mundën të arratiseshin dhe janë fshehur në Shqipëri. Identiteti i tyre është i panjohur. Droga do të transportohej në Itali, por pasi u zbuluan nga Guarda di Finanza, manovruan për t’u shmangur dhe iu afruan bregdetit grek.
Trafiku i drogës drejt Italisë dhe Greqisë është rritur frikshëm pas emërimit të Besmir Qibinit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës. Sipas statistikave, në një javë që njeriu i Tahirit u vu në krye të Policisë Kufitare të Vlorës, drejt Italisë dhe Greqisë janë futur plot 6.5 tonë drogë nga brigjet shqiptare.
Një skaf me 800 kg drogë që vinte nga Shqipëria u diktua të dielën e kaluar në gjirin e San Cataldo-s. Operacioni, sipas tyre, është finalizuar nga reparti operativ aeronaval i Guardia di Finanza në Bari dhe Taranto, që po kryen funksionet e qendrës së koordinimit lokal të misionit Frontex.
Pas sekuestrimit të 800 kg kanabis, të hënën e kaluar Guardia Di Finanza sekuestroi përsëri 500 kg drogë në ujërat e detit Adriatik, në brigjet e Sao-s, në Leçe. Mediat italiane bënë të ditur se ngarkesa me lëndë narkotike ishte nisur nga brigjet e Vlorës.

Artikulli paraprakRama kërcënon ata që nuk bëjnë Check Up-in
Artikulli tjetërBasha, Shteti ka rënë, ne do ta shtypim krimin