Reali i Madridit bëhet gati për festën e titullit. Në “La Rosaleda” ndaj Malagas, Los Blancos kanë nevojë për vetëm 1 pikë, për të fituar për herë të 33-të në historinë e klubit, titullin e La Ligas. Pas triumfit si lojtar në sezonin 2002-2003, Zinedine Zidane po përgatitet të fitojë Primeran edhe si trajner me Realin, por më parë skuadra e teknikut francez duhet të thotë fjalën e saj në sfidën ndaj Malagas.
“E kemi të qartë se, na mungon vetëm një ndeshje. Deri në këtë moment të sezonit, i kemi bërë gjërat ashtu siç kemi dashur dhe jam i kënaqur me këtë fakt. Po kalojmë një moment të mirë, të gjithë futbollistët janë mirë fizikisht, do të japim maksimumin për të fituar ndaj Malagas. Michel, si një ish-madrilen mund ta detyrojë Malagan të tolerojë? Unë shikoj vetëm punën time dhe jam i përqendruar te skuadra. Nuk i zë besë kundërshtarit dhe askujt. E di që na pret një ndeshje e vështirë, pasi do të kemi përballë një skuadër që ka bërë një fund sezoni të shkëlqyer, por e rëndësishme është që e kemi vetë në dorë fatin tonë”, u shpreh Zidane.
Reali i Madridit nuk e fiton kampionatin që nga viti 2012-të, por sipas Zidane ka ardhur momenti që Los Blancos të ngrejnë sërish lart titullin e La Ligas, trajneri francez, bëri edhe një krahasim se kush është më e vështirë për t’u fituar, Primera Division apo Champions League.
“E dimë sesa mision i vështirë është të fitosh La Ligan. Janë 38 javë kampionat dhe gjithçka është shumë e ndërlikuar. Çdo fundjavë ose më saktë çdo tre ditë duhet të tregosh se ke dëshirë të fitosh dhe kjo është ajo që kemi bërë ne deri tani. Kemi punuar fortë për të arritur deri këtu dhe lojtarët janë treguar vërtetë fenomenalë. E meritojmë të jemi në këtë pikë. Nuk mund të bëj krahasime se cili trofe është i vështirë për t’u fituar ai i La Ligas apo Champions League. Për kampionatin punohet çdo ditë, por edhe Championsi ka të njëjtën shkallë vështirësie”, tha trajneri i Real Madridit.
Zidane, po mundohet ta mbajë të motivuar Cristiano Ronaldon, për pjesën më të rëndësishme të sezonit. Francezi u shpreh i lumtur me formën e CR7, i cili po kalon momente fantastike pikërisht atëherë kur u duhet më së shumti “Los Blancos”. Zidane shpreson se, Ronaldo do të vazhdojë me formën e mirë edhe në dy ndeshjet e mbetura, sfidat më të rëndësishme të sezonit, apo thënë ndryshe, finalet e mbetura.
Sot Reali përballet nga ora 20:00 me Malagan dhe kërkon titullin e kampionit të Spanjës, që i duhet vetëm një pikë për ta rrëmbyer për herë të parë që nga viti 2012. Ndërsa më 3 qershor, do të përballet me Juventusin në finale të Ligës së Kampionëve. “Ai është duke bërë paraqitje fantastike dhe është në një formë shumë të mirë, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës. Ronaldo është shumë i lumtur”, tha Zidane. “Kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe ne do të japim gjithçka nga vetja në këto dy ndeshje”, shtoi trajneri francez.
Nëse shikojmë Realin dhe Barcelonën që kur Zidane mori drejtimin e skuadrës së parë, atëherë Reali ka qenë skuadër më e suksesshme. Në 57 ndeshje sa Zidane e ka drejtuar Realin, ai ka marrë 143 pikë, shtatë më shumë se sa Barcelona 136. Ndërsa diferenca me Atleticon është edhe më e madhe, pasi Reali i Zidane ka marrë 21 pikë më shumë se ajo në 57 takime. Kujtojmë se Zidane që në edicionin e parë e fitoi Ligën e Kampionëve me Realin, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës, ndërsa edhe këtë edicion e ka dërguar Realin deri në finale, ku do të luaj ndaj Juventusit më 3 qershor në Cardiff.