Enrike: Nuk them lamtumirë!

Përballja me Eibarin në javën e 38-të të Primera Division do të jetë e fundit në “Camp Nou” për Luis Enriqen, i cili e ka bërë të qartë muaj më parë se etapa si trajner i Barcelonës përfundon në mbylljen e sezonit. Tekniku asturian e pranoi se vetëm një mrekulli mund ta shpallë skuadrën blaugrana kampione të Spanjës, me Realin që i duhet vetëm një pikë në transfertën e Malagas për të zbritur nga froni Barçën. “Çdo kundërshtar në javën e fundit mund të bëhet shumë i rrezikshëm. I tillë është edhe Eibari. Ne do të bëjmë tonën, por s’e kemi në dorë. Nëse Reali e humbet dhe ne fitojmë titullin, do të jetë fantastike, në të kundërt duhet të urojmë rivalët tanë për suksesin. Ndihem krenar që kam shkruar një pjesë të historisë së Barcelonës. Më duhet ta falenderoj për tetë vitet si futbollist dhe 6 si trajner”, u shpreh Enrike.
Gjithsesi 47-vjeçari nuk dëshiron të thotë lamtumirë, madje shton se do të qëndrojë pranë klubit, duke dhënë mbështetjen qoftë si një tifoz i thjeshtë. “Nuk kam parashikuar një fjalim lamtumire, sepse nuk do të largohem. Vitin e ardhshëm do të jem në shkallët e stadiumit bashkë me tifozët e tjerë katalanas. Jo vetëm që e konsideroj veten tifoz të Barcës, por kam një ndjenjë të veçantë për Katalunjën. Bashkëshortja dhe fëmijët e mi janë nga ky vend”, tha ai.
Para ndeshjes së fundit në La Liga për këtë sezon, por edhe në stolin e Barcelonës, trajneri Luis Enrique, u paraqit me shumë vetëbesim në konferencën për media. Ai beson se Malaga do të dalë në fushë ndaj Real Madridit për të bërë më të mirën, kur u pyet nëse vendasit mund t’ia lëshojnë ndeshjen mysafirëve. “Kam 100 për qind besim në profesionalizmin e gjithë trajnerëve dhe lojtarëve, derisa të mos provohet e kundërta, unë kam këtë mendim”, është përgjigjur Enrike. Malaga – Real Madrid, Barcelona – Eibar, të dy këto sfida zhvillohen të dielën nga ora 20:00 dhe do të jetë me të vërtetë një natë emocionuese, ku edhe do të vendoset kampionati.

Exit mobile version