Mbi 1 ton drogë u sekuestruan gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm nga policia greke. Bëhet e ditur se policia greke ka bllokuar në doganë kamionin me targa shqiptare të mbushur me drogë, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar me vrap nga vendngjarja. Tv greke “Ert” bëri të ditur se, kamioni me lëndë narkotike kishte ardhur nga Shqipëria. Sipas mediave greke, kamioni ka kaluar pa problem doganën shqiptare të e Kakavijës, ndërsa në palën greke shoferi ka deklaruar se nuk ka ngarkesë në mjet. Pasi është dhënë urdhër shoferit që të hapte rimorkion, ai në këto momente është hedhur nga kabina dhe është larguar me vrap drejt tokës shqiptare, ndërsa mediat greke pohojnë se shoferi shqiptar ka hyrë në Shqipëri. Gjatë kontrollit u bë e mundur dhe gjetja e sasisë së drogës në pjesën e brendshme të kamionit, që ishte improvizuar si ‘mur’.
Pas kësaj, autoritetet gjetën kanabisin dhe sekuestruan kamionin. Lidhur me ngjarjen kanë filluar hetimet për zbulimin e autorëve të kësaj sasie të madhe droge. Autoritetet greke janë vënë në alarm, pasi kohët e fundit po devijohet trafiku i narkotikëve nëpërmjet rrugëve tokësore.
Droga është kapur pak minuta nga dalja e pikës doganore, ndërsa shoferi shqiptar është arratisur këtej kufirit, duke kaluar në këmbë. Mediat greke shkruajnë gjithashtu se kamioni me drogë ka kaluar pa problem nga dogana shqiptare. Policia greke vazhdon hetimet për rastin.
Një tjetër sasi droge është sekuestruar dje nga policia greke, ndërsa në pranga përfunduan dy shqiptarë. Mësohet se në mjetin që vinte nga kufiri me Shqipërinë që u kap në vendin e quajtur Rivio, Aitiloakarnania u gjetën mbi 60 kg marijuanë. Ndërkohë, në mjetin e dy shqiptarëve, 24 dhe 28 vjeç u gjet sasia me peshë totale 60 kg e 970 gram marijuanë.
Një ditë më parë policia greke sekuestroi 500 kg drogë në dy operacione të ndryshme. Bëhet e ditur se 370 kg kanabis sativa e nisur me një kamion nga Shqipëria u sekuestrua në Portin e Patrës. Sipas Rojes Bregdetare greke, droga ishte vendosur në tavanin e një kamioni me targa greke, që do të nisej nga Porti i Patrës me destinacion Italinë. Autoritetet thanë se kanë arrestuar drejtuesin e kamionit, një 62-vjeçar. Sipas informacioneve të publikuara prej autoriteteve, lënda narkotike ishte ngarkuar prej një organizate shqiptare të trafikimit të narkotikëve dhe destinacioni i saj final ishte Holanda. Në kërkim janë shpallur disa anëtarë të organizatës së trafikimit të narkotikëve grekë dhe shqiptarë. Kamioni u sekuestrua, ndërsa shoferi 62-vjeçar do të dërgohet për masë sigurie në Gjykatën e Patrës.
Në të njëjtën ditë, policia greke sekuestroi 125 kg marijunë në Igumenicë. Policia greke ka ndjekur një mjet që vinte nga kufiri me Shqipërinë në Igumenicë pas dyshimeve se mund të kishte drogë. Burimet konfirmojnë se, pas kontrollit në mjet rezultoi se shoferi grek udhëtonte me 30 pako drogë, ose 125 kg marijuanë, që e kishte siguruar në Shqipëri.
Policia ka arrestuar menjëherë drejtuesin e mjetit, një grek 40-vjeçar, ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Po ashtu bëhet me dije se është ndaluar dhe një mjet i dytë që shërbente për kontrollin e rrugës dhe drejtuesi grek, i të cilit u arrestua gjithashtu.
Para katër ditësh Policia e Selanikut sekuestroi drogë dhe armë të futur nga Shqipëria si dhe vuri në pranga një 23-vjeçar shqiptar. Sipas medias së vendit fqinj, Policia sekuestroi mbi 6 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Krahas lëndës narkotike, shqiptari mbante në makinën e tij edhe municione, kallashnikovë, pistoleta dhe granatë. Lëndën narkotike, shqiptari e kishte fshehur në gomën e automjetit. Përveç lëndës narkotike dhe armëve, policia ka sekuestruar edhe telefonat celularë, automjetin e përdorur për transportin e drogës, 120 euro. Dosja për të riun është dërguar pranë Prokurorisë së Selanikut.
R.POLISI