Droga mësyn edhe në shkolla, kapen 500 gram kanabis tek “Avni Rustemi”

Ditën e djeshme në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” është gjetur 500 gr drogë. Sipas informacionit të publikuar nga Policia e Tiranës, droga dyshohej se shitej në doza të vogla për nxënësit e kësaj shkolle. Por dhe më parë rastet e shitjes së kanabisit në shkolla kanë qenë prezente. Para pak muajsh nxënësit e një shkolle 9-vjeçare në Paskuqan përfunduan në spital pas përdorimit të dozave të kanabisit.
A jemi sot në kushtet e përhapjes masive të kanabisit jo vetëm tek të rinjtë mbi 18 vjeç, por dhe tek të miturit?
Përgjatë 6 muajve të fundit në të gjitha mediat e botës vendi ynë është konsideruar si ‘Kryeqyteti i kanabisit’.
Prestigjiozja BBC para pak kohësh bëri një shkrim për situatën e kultivimit dhe shitjes së kanabisit në Shqipëri, duke e etiketuar si një vend kryesor në kultivimin dhe tregtimin e kanabisit në Europë.
Avionë të mbushur me drogë u rrëzuan disa herë, hera e fundit shumë afër Rinasit u gjet një pistë e gatshme, e cila sipas hetimeve të Prokurorisë dyshohej si pikënisje e avionëve me drogë.
Ndërkohë në shtetin fqinj, Itali kapen përditë ngarkesa me tonelata droge të nisura nga Shqipëria.
Shqetësimi për kultivimin e drogës në Shqipëri tashmë nuk është vetëm një çështje politike midis qeverisë dhe opozitës, ajo ka kaluar në një nivel tjetër.
Deklaratat e ndërkombëtarëve janë të shpeshta dhe bien si ‘këmbanë alarmi’ për institucionet shqiptare. Eduart Kukan eurodeputet dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian para disa muajsh deklaroi, se droga është një problem gjigant në Shqipëri.
Dhe sigurisht që shumë pyetje ngelen pa përgjigje: Cilat janë masat e ndërmarra për këtë problem? Sa besim tek shkolla dhe shteti duhet të ketë sot një prind që dërgon fëmijën në mëngjes në shkollë dhe më pas e gjen në urgjencën e QSUT? Kujt t’ja besojë prindi fëmijën gjatë 6 orëve të qëndrimit në shkollë? Mësimit apo trafikantit?

Exit mobile version