1 vit nga “decentralizimi”, Mziu: Qeveria po diskriminon 15 bashkitë e djathta

U zhvillua dje konferenca “Decentralizimi – një vit më pas” organizuar nga Shoqatat e Bashkive, me mbështetjen e USAID – Projekti i Planifikimit dhe Qeverisjes Vendore (PLGP). Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, ishte i pranishëm në konferencë ku ngriti si çështje të mprehtë diskriminimin që vijojnë të kenë bashkitë e djathta nga ana e pushtetit qendror, në veçanti Bashkia e Kamzës. Në fjalën e tij kryebashkiaku Mziu tha se, është i pari vit që ka filluar funksionimi i 61 bashkive të reja, por ka mjaft probleme, të cilat kanë ardhur për shkak të vakumit ligjor që është krijuar nga ndryshimet që kanë ndodhur.
“Unë do të marr si shembull rastin e ministrit, i cili trumbetoi sistemin e vaditjes dhe të kullimit dhe, në fakt, çfarë ka ndodhur. Në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 4 shkurt të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendos për blerjen e 61 ekskavatorëve për 61 njësi vendore dhe, për çudi, pasi bëhen këto blerje, po të shohësh te lista bashkëngjitur, shumica e bashkive dhe kryesisht të djathta nuk kanë ekskavator dhe sa herë që i drejtohemi edhe Kryeministrit, edhe ministrit, asnjëherë nuk kthen përgjigje, qoftë edhe për ta pasur si “relikte” të komunikimit zyrtar me njësitë e pushtetit vendor. Ky është vendimi i Këshillit të Ministrave, kjo është “Fletorja zyrtare”, këto janë edhe njësite vendore që nuk kanë marrë ekskavator. Por po marr vetëm zonën e Kamzës. Si mund të mos marrë zona e Kamzës, që është qyteti i shtatë në Shqipëri për nga numri i popullsisë dhe ka dy rreziqe të përmbytjes. Ka lumin Tirana, lumin Tërkuza dhe ndërkohë Lana, që krijon përmbytje sa herë që ka shira. Dhe ekskavatorin e Kamzës e ka marrë Tirana”, tha Mziu.
Mziu tha më tej se, po të shohësh nga 61 bashkitë, nga 10 bashkitë e para, 8 bashki janë të djathta, duke filluar nga Shkodra, Kamza, Lezha, Pogradeci etj. “Dhe në fakt, po të shohësh në raport, unë kam bërë një statistikë të saktë të grantit të akorduar nga qeveria për vitin 2015 dhe për vitin 2016, pra fiks në këtë 1 vit qeverisje në pushtetin vendor, shohim që shifrat janë vërtet tepër alarmante, por kjo ka ndodhur në kushte të pabarabarta. “Bashkitë e djathta kanë 22%, bashkitë e majta zënë 78% të popullsisë. Pavarësisht se është 22 me 78, ja cila është situata për vitin 2016: 93% e kanë marrë bashkitë e majta, vetëm 7% e kanë marrë bashkitë e djathta. Nëse i referohemi vitit 2015, 9% nga 22% që duhet të merrnin bashkitë e djathta, por ja sa kanë marrë bashkitë e majta. Por nuk është vetëm aq, bie fjala një bashki për vitin 2015, për sa i përket grantit të akorduar për pushtetin vendor, kam nxjerrë se sa i takon një qytetari dhe sa ka përfituar realisht. Një banor i një prej njësive vendore të djathta ka marrë vetëm 103 lekë, një banor që bën pjesë në bashkitë e majta ka marrë 394 lekë, çfarë do të thotë që ka marrë 3.8 herë më shumë. Pra, jo atë 20-përqindëshin, edhe atë 50-përqindëshin, edhe 100-përqindëshin, por 3.8 herë më shumë, ky është një diskriminim i pastër që i bëhet qytetarit që është në këto njësi vendore. Nëse i referohemi lekë për banorë për vitin 2015 dhe vitin 2016, një banor që është në njësitë e djathta merr vetëm 1.735, kurse një banor që është tek njësitë e majta merr 3.7. Qeveria të heqë dorë nga kjo lëvizje tinëzare që bën në lidhje me grantet ndaj pushtetit vendor”, u shpreh Mziu.

Exit mobile version