Banorët e fshatit Plyk në Fier protestuan dje kundër ndërtimit të impiantit për djegien e plehrave urbane në fshatin e tyre. Protestuesit shprehen se impianti është planifikuar të ndërtohet shumë pranë banesave të tyre. Kjo përbën rrezikshmëri për shëndetin dhe mjedisin. Pak ditë më parë, qeveria Rama dha me koncesion ndërtimin dhe administrimin e një impianti për djegien e mbetjeve urbane, në të njëjtën zonë. Koncesioni u denoncua nga Partia Demokratike dhe media për shkelje të ligjit dhe favorizim të klientëve të qeverisë Rama. Ky është koncesioni i parë për impiant djegieje që jepet në të njëjtën kohë me miratimin e ligjit të mbetjeve. Landfilli i plehrave urbane në Plyk u mbyll në tetor të vitit 2015, pas ankesave të shumta të banorëve. Ai, prej 40 vitesh, kishte shërbyer si vend grumbullimi për mbetjet urbane të Fierit. Specialistët e mjedisit kanë paralajmëruar autoritetet disa herë për rrezikun e lartë ndaj të cilit janë të ekspozuar banorët e kësaj zone.