100 kompani ndanë 505 milionë euro

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Përqendrimi i lartë i pasurisë në pak duar ishte shqetësimi kryesor që po diskutohet në Forumin Ekonomik të Davosit, teksa një raport i fundit i Oxfam International konstatoi se 82% e pasurisë së krijuar në vitin 2017 shkoi në duart e 1% më të pasurve. Raporti i Oxfam tha se, tendenca tregon që ekonomia globale po shkon në favor të të pasurve, duke shpërblyer pasurinë, në vend të punës. “Bumi i milionerëve nuk është një shenjë e një ekonomie në lulëzim, por një shenjë e një dështimi të sistemit ekonomik”, tha Winnie Byanyima, drejtore ekzekutive e Oxfam International.
Po në Shqipëri?! Pabarazia dhe varfëria janë rritur në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror “Rritja gjithëpërfshirëse dhe raporti i zhvillimit” për 2018. Pabarazia neto e të ardhurave i cilësuar ndryshe si treguesi GINI ka pësuar rritje me 7.7 për qind, në pesë vitet e fundit sipas raportit, duke u gjitur në 38.4%. Forumi raporton gjithashtu se varfëria ka ardhur në rritje. Sipas raportit, shqiptarët që jetojnë në varfëri u rriten me 0.7 për qind dhe norma e varfërisë ka arritur në 6.8%. Për vendet në zhvillim, ky tregues llogaritet si përqindja e popullsisë që jeton më pak se 3.1 dollarë në ditë.

Sa fitojnë të mëdhenjtë në Shqipëri

Edhe pse në Shqipëri brezi i sipërmarrësve ka maksimumi një aktivitet 25-vjeçar, të mëdhenjtë (edhe pse nuk janë shumë) kanë arritur të diferencohen dukshëm me pjesën tjetër të qindra e mijërave bizneseve mikro e të vogla, që kanë të ardhura minimale nga aktiviteti i tyre.
Të dhënat e llogaritura nga “Monitor”, që i referohen 100 kompanive me fitime më të larta në Shqipëri për vitin 2016 (të fundit të disponueshme), se ato fituan në total 62 miliardë lekë, ose 505 milionë euro. Kjo përbën 35% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në 2016-ën. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2016-ën, fitimet totale të biznesit arrijnë në 194 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa 5% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).
Fitimet e 100 më të mëdhenjve janë sa dyfishi i atyre që fituan në total mbi 93 mijë biznese të vogla, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”. Sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjes 2015 (e fundit e disponueshme), 93,376 subjekte me 1-4 punonjës raportuan fitime prej 38 miliardë lekësh.
Në Shqipëri ka rreth 128 mijë ndërmarrje aktive (pa llogaritur fermerët). Pra 100 kompanitë më të mëdha përbëjnë vetëm 0.08% të totalit të bizneseve në vend.

Thellim i pabarazisë në vend

Pabarazia dhe varfëria janë rritur në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror “Rritja gjithëpërfshirëse dhe raporti i zhvillimit” për 2018.
Pabarazia neto e të ardhurave i cilësuar ndryshe si treguesi GINI ka pësuar rritje me 7.7 për qind, në pesë vitet e fundit sipas raportit.
Koeficienti Gini në Shqipëri ka arritur në 38.4. Ky indeks tregon masën në të cilën shpërndarja neto e të ardhurave (pas taksave dhe pas transfertave) midis individëve dhe familjarëve në një ekonomi devijon nga një shpërndarje e barabartë e përkryer. Një indeks Gini prej 0 nënkupton një barazi të përkryer dhe një indeks prej 100 implikon një pabarazi të përkryer. Kjo do të thotë që rritja me 7.7% e këtij treguesi në Shqipëri përgjatë pesë viteve të fundit është indikator i rritjes së pabarazisë në vend.
Forumi raporton gjithashtu se, varfëria ka ardhur në rritje. Sipas raportit, shqiptarët që jetojnë në varfëri u rriten me 0.7 për qind dhe norma e varfërisë ka arritur në 6.8%. Për vendet në zhvillim, ky tregues llogaritet si përqindja e popullsisë që jeton më pak se 3.1 dollarë në ditë.
Në rënie është edhe treguesi i të ardhurave mesatare ditore për frymë me 0.1%. Në përmirësim është vetëm treguesi i pabarazisë së pasurisë, që është zvogëluar me 1.8%.
Thellimi i pabarazisë në vend është konfirmuar më herët edhe nga statistikat kombëtare.
Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2016, publikuar nga Instituti i Statistikave verifikohet tendenca ku të pasurit janë pasuruar edhe më shumë, kurse të varfërit kanë vijuar në ekstremin tjetër.
Sipas kësaj ankete rreth 90% e familjeve shpenzojnë 78.3% të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 63.609 lekë në muaj. Nga ana tjetër 10% e familjeve shpenzon 21,7% të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 158.946 lekë në muaj.
Kjo do të thotë se shpenzimet mesatare për konsum të 10% të NJEF me shpenzime më të larta janë 2,5 herë më shumë se ato të 90% tjetër më të varfër.
Konsumi për frymë, i 90% të familjeve me shpenzimet më të ulëta është mesatarisht 18.119 lekë në muaj, ndërsa 10% i familjeve me shpenzimet më të larta, është mesatarisht 62.562 lekë në muaj për frymë.
Në raportin e Forumit Botëror në renditjen e vendeve në zhvillim, në treguesin e përgjithshëm Shqipëria është në vend të 28 nga 74 shtete, duke qenë pas Maqedonisë (25), por duke ia kaluar Serbisë. Shqipëria ka marrë 4.08 pike, ku 1 është vlerësimi më i dobët dhe 7 më i larti. Më mirë nga vendet në zhvillim është Lituania dhe në fund është Mozambiku.
Shtyllat ku Shqipëria ka rezultatin më të keq janë ndërmjetësimi financiar me 2.89 pikë, si rrjedhojë e ndërmjetësimit të ulët të bizneseve. Shtylla e dytë, ku Shqipëria ka performancë të dobët është transferta fiskale, me të dy nëntreguesit, kodi i taksave dhe mbrojtja sociale. I treti është korrupsioni dhe pagesat, me 3.27 pikë, ku nëntreguesi më negativ është ai i përqendrimit të pagesave.

“Monitor”

Exit mobile version