101 Vjet nga Lufta e Vlorës

“Vlora trime shqipëtare
si rob jetën se do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Jam vlonjat e jam burrë,
sduron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di bëj luftë me të shtat!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, tu lumtë dora!
Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!”
Ali Asllani

Nga Bujar LESKAJ

Sot më 3 Shtator 2021 ne kremtojmë 101 vjetorin e Luftës së Vlorës, këtë betejë dhe datë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Kjo ditë dhe datë simbol i krenarisë kombëtare dhe gur themeli i ruajtjes së integritetit të shtetit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë, krahas vlerësimit të organizatorëve, luftëtareve të saj dhe kontributit që ajo dha për shtetin e ri shqiptar, duhet të na shërbejë për të parë qartë në të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke rritur përgjegjshmërinë jo vetëm të forcave politike, por edhe të mbarë opinionit shoqëror të vendit.

Që në fillimet e këtij shkrimi më duhet të theksoj se këtë shërbim Lufta e Vlorës mund të na kryejë më mirë, nëse 3 shtatori, dita e përfundimit triumfues të saj, shpallet Festë Kombëtare, kërkesë që prej disa vitesh e shtrojnë përpara opinionit publik dhe Kuvendit intelektualët vlonjatë (megjithatë nuk është ky qëllimi kryesor i këtij shkrimi modest dhe nuk do trajtohen këtu argumentat e shumtë pro kësaj). Në këtë ditë studjuesit, historianët, intelektualët, veteranët dhe të rinjtë shqiptarë kujtojnë veçanërisht luftëtarët e 20-ës, dëshmorët e saj, drejtuesit politikë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare, me në krye patriotin Osman Haxhiun dhe kapedanët e kësaj lufte, komandantët e çetave, etapat e saj dhe vlerësimet që ndër vite u shkruan për këtë Luftë – Epope.

***
Sot 101 vjet më mbas ne përulemi me nderimet më të thella përpara dëshmorëve të Luftës së Vlorës, çetave nga çdo fshat i Lumit të Vlorës, nga Labëria dhe të gjitha krahinat e Shaipërisë, 12 anëtarëve te Komitetit Mbrojtja Kombëtare, me në krye Osman Haxhiun ose Osman Nurin siç i thoshte populli dhe anëtarët e tij Myqerem Hamzaraj, Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Kokoshi, Murat Tërbaci, Beqir Sulo, Hazbi Cano, Hysni Shehu, Hamit Selmani, Sali Bedini, komandantëve të përgjithshëm të Trupave Kombëtare, Major Ahmet Lepenica dhe Qazim Koculi, kapedanit Sali Vranishti, heronjve, Zigur Lelo, Selam Musa Salaria, Kanan Maze, Sado Koshena, Mehmet Mallkeqi dhe dhjetëra komandantëve te tjerë, që dhanë jetën për Shqipërinë!

Me rastim e 50 vjetorit të Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime për arsye politike. Do të ishte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këte Luftë – Epope. Pavarësisht sa më sipër, vlerësimi duhet te vazhdoj! Gjithmone u jemi dhe i mbetemi borxh Luftës së Vlorës 1920 dhe heronjve të saj!

Shënim: Piktura Lufta e Vlorës (250×150) është vepër e piktorit të ri vlonjat David Mecani. Punuar në 2020!

Exit mobile version