104 amendamente fshehtas në Kuvend për të kapur drejtësinë

Oerd BYLYKBASHI

Dëgjova ministrin e Brendshëm që na ftonte të flisnim për ligjin e rëndësishëm të organeve të drejtësisë. Në fakt është i fundit që duhet të flasë. Është ai që e ka pranuar me gojën e tij që është gati të shkelë detyrimin për të shkelur një vendim gjykate. Jo vetëm aq, por bën veprime që mund ta çojnë përpara ligjit dhe hekurave, për evazion fiskal etj. Të gjithë këto janë të vogla në krahasim me lidhjet e tij që ka me trafikun e drogës. Ndaj, është i fundit që duhet të flasë për ligjet e drejtësisë.
Në fakt unë do të flas për këtë. Këtu, sot Parlamenti përballet me një shkelje skandaloze të Kushtetutës dhe rregullores. Kemi prej datës 6 tetor në shqyrtim, kemi edhe debatin për ligjin për organet e sistemit të drejtësisë. Është bërë debat dhe është mbyllur. Në këtë seancë e kemi bërë shumë të qartë. Ky ligj është antikushtetues sepse me këtë ligj Edi Rama kërkon të marrë atë që humbi në datën 21 korrik në negociatën për miratimin e Kushtetutës. Negociata përfundoi me një tekst kushtetues të miratuar më 22 korrik, sot në fuqi, i cili i heq mundësinë Kryeministrit të kapë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. I heq të gjithë filtrat që kërkonte Kryeministri përmes të cilave të kapte anëtarët e këtyre dy këshillave të rëndësishëm. Por mesa duket nuk i del shpirti nga inati dhe pikërisht për këtë arsye ka kaq kohë që ka sjellë ligj në shkelje të Kushtetutës, por për fat të keq, ajo për të cilën kam marrë fjalën sot, është shkelja tjetër skandaloze e bërë këtu nga një deputete e Parlamentit me bekimin e Kryeministrit.
Dje pasdite është depozituar në Parlament një draft me 104 amendamente për këtë ligj. Një ligj i pamiratuar që ka më pak se 300 nene, amendohet nga një deputet i vetëm me 104 amendamente të tjera. Kjo është jo vetëm skandaloze sepse tregon shumë qartë se çfarë konsiderate keni ju për Komisionin parlamentar për Reformën në Drejtësi. Për ju nuk ka rëndësi sepse doni ta ndryshoni më pas çdo gjë që bëhet me konsensus apo jo për mbi të gjitha ka një shkelje shumë të rëndë të procedurës. Rregullorja e Kuvendit parashikon që amendamentet paraqiten jo më vonë 24 orë nga seanca e debatit dhe miratimit. 24 orë kanë qenë në datën 5 tetor, seanca ka qenë në datën 6 tetor dhe paraqitja e 104 amendamenteve sot, me firmën e një deputeteje është në kundërshtim me rregulloren. Për rrjedhojë, këto amendamente duhet të tërhiqen menjëherë ose projekligji duhet të shkojë për rishqyrtim në Komisionin e Reformës në Drejtësi.
Tani po them dy fjalë në lidhje me atë që propozohet këtu. Të jetë keq është një gjë, por që ta bësh edhe më keq dhe më antikushtetuese një ligj do të thotë që ke një synim të vetëm. Kërkon kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Shumë e thjeshtë. Me propozimin që vjen nga kjo deputete e Parlamentit, kërkon rikthimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në versionin famëkeq të shtatorit 2015. Po ju lexoj se si përbëhet komisioni që do të filtrojë kandidaturat në kundërshtim me Kushtetutën. Po kërkohet që të futet një komision ad hoc, i cili do të filtrojë të gjithë kandidaturat që kanë të drejtë të konkurrojnë për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Është antikushtetuese sepse Kushtetuta nuk e parashikon. Jeni duke e kthyer në versionin famëkeq të vitit 2015, ku mund t’i përcaktohet emri i secilit anëtar dhe po ua them, këta janë ata që propozon deputetja; Avokati i Popullit, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dy avokatë, më i riu dhe më i vjetri në moshë që kanë dhënë në 5 vitet e fundit mësim në Shkollën e Magjistraturës. Emrat mund t’ua vendosim tani të dy këtyre. Një anëtar i rregullt nga Akademia e Shkencave, nga shkencat shoqërore dhe ky ka vetëm një emër.
Po ktheheni aty ku Komisioni i Venecias ua rrëzoi. Është shkelje e Kushtetutës procedura që kërkoni të miratoni këto amendamente. Tërhiqeni përndryshe ky Parlament po vendos një precedent të rrezikshëm.

Exit mobile version