Berisha-qeverisë: Po ju vjen ngordhja, mos luani me FMN

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi dje në Parlament se kriza e gjithanshme ekonomike dhe zhytja e vendit në gropën e vjedhjeve qeveritare po afrojnë rrëzimin e qeverisë. “Pandeli po të buzëqesh PS-ja dhe siç thotë një fjalë e popullit: ‘qenit kur i vjen ngordhja, shkon dhe urinon në derë të selisë’. Kjo po ndodh dhe me ju, po kjo është puna juaj. S’keni shpëtim!”, tha Berisha duke iu drejtuar Majkos.
Berisha tha se shifrat e servirura nga Rama dhe Ahmetaj për ekonominë janë të ndryshme, ndërsa janë shenja të skizofrenisë të kreut të qeverisë, për të cilën ai tregoi edhe një bisedë me një mikun e tij jashtë vendit.
“Ju zotërinj, që ishit në Asamble të Partisë tuaj, a nuk ju tha ai (Rama) se për herë të parë në 20 vjet po ulim borxhin nën 20%? A nuk thotë ky tjetri këtu sot, vetëm dy javë më vonë, se borxhi është 71%? Jeni bërë të neveritshëm! Në çdo fjalë që nxirrni, nxirrni një mashtrim. Ky që rrahu gjoksin, s’di çfarë është borxhi, që po bëhet famoz për injorancën e tij të plotë, injorancën totale në raport me çdo fjalë që nxjerr nga goja. Mendon se me shkarravinat e tij do t’iu mbushë mendjen të tjerëve.
Takova një mik këto ditë, të shquar jashtë, më dha librin e pikturave Rama tha, dhe që nga libri me ato shkarravinat dukej që ishte i sëmurë psikik tha. Çdo njeri që sheh atë (Ramën) e kupton që ka të bëjë me një të sëmurë psikik. Për fat isha dhe me dëshmitarë në këtë takim.
(i drejtohet Majkos)… Nuk buzëqesh për fjalët e mia ti Pandeli, buzëqesh për largimin e Blushit, sepse e nisi për ta marrë PS ai që s’është më aty, përfundoi anash. Priti ai tjetri dhe doli anash, kurse ty do të vijë PS-ja, duro!”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi qeverinë se largimi i FMN do të jetë një kërcënim madhor për ekonominë e vendit dhe se Fondi nuk mund të largohet tani që borxhi ka arritur në 74%.
“Përsa i përket deficitit primar ti (Ahmetaj) s’ke faj, je i pafajshëm për injorancën, ti nuk di ç’është suficiti primar. Ka qenë, ka ekzistuar katër vite me radhë. Sa i përket Fondit, mos luani me Fondin. Sepse largimi i FMN nga Shqipëria, në një kohë kur ju e morët borxhin publik 62% dhe e rritët 74%, largimi tij është kërcënimi më madhor që ka pësuar ekonomia shqiptare ndonjëherë. Fondi nuk mund të largohet pa zbritur borxhi nën 60%. Jeni ju që bëtë fushatë në katër anët e Shqipërisë për borxhin 60% që e lamë ne, tani doni të përzeni Fondin me borxhin 72%. Ju jeni larg artikullit 4”, tha Berisha.

Qeveria mashtroi FMN

Nuk ka rritje pagash, por indeksim. Ish-Kryeministri tha se ka mashtruar FMN-në me shifrat dhe borxhet e marra do të jenë një barrë e rëndë për shqiptarët. “Ajo që u quajt rritje rrogash nuk është as indeksim. Sipas njoftimit të fundit, jo që s’janë 100 milionë dollarë, por janë fiks 64 milionë dollarë. Nga 8 miliardë lekë u katandis kokoshi në thelë. Kreu juaj vrapon nga një vend në një tjetër duke rrahur gjoksin për 100 milionë dollarë rritje, e cila nuk ishte gjë tjetër vetëm indeksim. Pse? Ju keni shkatërruar çdo gjë. Këshilli i Ministrave sot ka në bordero 530 punonjës nga 128 që kishte në vitin 2013. Dhe tani na thotë se do të vendosin në shkurt për Fondin nëse do e përzenë. Nuk mund të vendosë vetëm qeveria për këtë. Qëndrimi ose jo i Fondit duhet të jetë e përcaktuar nga kriteret dhe jo nga vullnetet. Ke borxhin mbi 70%, Fondi nuk mund të largohet në asnjë mënyrë.
Keni mashtruar në mënyrë monstruoze Fondin. Morët borxh verbërisht. Dhe pse e morët borxhin? Vetëm për të dalë e për t’u kapardisur ai që shet injorancë nga mëngjesi deri në darkë e për t’u thënë që solli buxhetin më të madh në histori. O i lehtë në mendje. Po po të marrësh borxh, buxhetin mund ta dyfishosh, po more më shumë edhe mund ta trefishosh, por barra e tij në të ardhmen të lëshon përtokë. Dhe për të thënë atë që thoja unë, se ky është buxheti më i madh, të cilin unë e thoja me të vërtetë, bazuar mbi rritjen, edhe ky përsërit dhe thotë ky është buxheti më i madh në histori. Dhe rriti borxhin, i cili e këput me kryq Shqipërinë në borxh. Hajde uleni po të doni”, tha Berisha.

2.3 miliardë dollarë në xhepat e korrupsionit

Ish-Kryeministri ka ngritur një pyetje në Parlament në lidhje me investimet publike. Shifrat tregojnë se janë 2.3 miliardë dollarë investime në këto tri vite, në një kohë që nuk ka asnjë vepër publike që të jetë ndërtuar.
“Pse s’ka investime? 50 e ca për qind i keni investimet. E kuptoni që jemi i vetmi vend, e vetmja ekonomi me deficit buxhetor minimal dhe me rezultate inverse zero, në të gjitha aspektet. Po pse? Sepse ky deficit buxhetor është i imponuar nga tjetër kush, kështu që ju detyroheni të vini këtu, të sillni buxhetin, të shpallni se do të bëni këtë e atë dhe s’bëni dot asgjë sepse do të mbani 2%-shin. Keni vetëm dështime në çdo fushë, dështim pas dështimi. Po të shihni letrat rezulton se ju keni përcaktuar për investime këto tre vjet 2.3 miliardë dollarë. A e dini ç’do të thotë 2.3 miliardë dollarë? Do të thotë të ndërtosh 7 herë Rrugën e Arbërit, të ndërtosh autostradat e mëdha që janë ndërtuar plus rrugën e Bregut. Ku janë, ku i keni, ku shkuan? I vodhët, askund tjetër. Rrugët zhduken, ujësjellësat zhduken. Çfarë jeni ju? Ju jeni deputetë me duar në xhepa. A e kuptoni pse nuk ju duan zgjedhësit ju? Ju nuk shkoni dot në zona, asnjëri prej jush nuk shkon dot në zona. Se ju pyesin ‘tani erdhe, po ku ishte tre vjet? Tani vini për votën’. Kudo ua shtrojnë këtë pyetje. Harrojeni se ja u jep më kush votën! A ka gjë më të trishtuar, a ka gjë më të dhembshme se një qeveri që ka dorëzuar pushtetin tre vjet më parë, të tejkalojë disa herë në vlerësim qeverinë aktuale. Por kjo nuk vlen. Po pse? Sepse ajo ishte, është një ish-qeveri dhe njerëzit duhet të jetojnë me të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Ndërsa ju, ja u shkatërruat të sotmen, ja u kanabizuat të sotmen”, tha Berisha.

Subvencione për fermerët

Ish-Kryeministria ka kritikuar politikat e qeverisë ndaj fermerëve, si dhe ofendimet që kreu i qeverisë servir ndaj tyre në takimte që zhvillon në qytete të ndryshme.
“Njeriu që shet injorancë kudo. Nuk e kam fjalën vetëm për historinë kur them këtë, sepse historinë nuk ja kërkoj atij pasi ai është elif matrak në çdo gjë që flet. Shkon në Gjirokastër dhe thotë se ky është investimi më i madh në 25 vitet e fundit. Në një kohë kur i gjithë rrethi i Gjirokastrës ka patur të paasfaltuara vetëm 7 kilometra rrugë, nga maja e Çajupit deri në Koshovicë. Shkon në Skrapar dhe i drejtohej fshatarit duke aluduar se i kishte ardhur i dehur në takim. Po ti që shkon i droguar? Pse ç’kujton se nuk e dinë ata se ç’është droga? Po nëse ndonjë mund të ketë kthyer ndonjë gotë, nuk vjen pasi ka marrë ndonjë vizë ama. Cili është më keq, ti që merr vizë dhe shkon aty apo ai që ka kthyer ndonjë gotë?
Dy përshëndetje ka për fshtatarët: njërën e ka si cub: ‘të fala gruas’ i thoshte fshatarit, tjetrën e ka si drogmen: ‘të fala hashashit’. Dhe qarkullon nga një fshat në një tjetër, nga një zonë në një tjetër duke menduar se ka përpara budallenj, duke menduar se ka përpara njerëz që s’dinë asgjë, duke menduar se ka përpara njerëz analfabetë. Nuk e di që secili prej tyre, me eksperiencën e madhe të jetës që ka, me integritetin dhe dinjitetin e tij, i jep ujë në bisht të lugës piktorit dështak. Vetëm një gjë di të thotë: 300 milionë kredi kemi, shkoni merrini. Pse nuk ja thoni ju? Pse nuk i thoni se në të gjithë botën, në të gjithë Europën krahas kredive është subvencioni, se nuk ka vend në Europë dhe në botë që nuk i jep fshatit subvencione përveç kredisë, se çdo fermer në hapësirën e BE merr 3 euro subvencion për lopën. Pse nuk ja thoni këto? Gjoja përfaqësoni zonat fshatare ju. Është bërë si dhelpra me rrushtë, bëj një kooperativë dhe merr një kredi thotë. Heq subvencionet në fshtara dhe thotë mbillni kanabis. A e dini teorinë e tij të fundit? Teoria e tij e fundit është se kanabisi na ka ardhur për shkak të Ligjit 7501, se e bëri Berisha Ligjin 7501”, tha Berisha.

Exit mobile version