“11 maji”/ Nga janari janë adresuar 48 kallëzime në SPAK për krime të ndryshme elektorale

Pavarësisht se platforma për krimet zgjedhore u vu në jetë rreth 1 muaj më parë, qytetarët kanë nisur me kallëzimet për krime zgjedhore që prej fillimit të këtij viti.

Referuar shifrave të siguruara televizioni rezulton se nga Janari janë adresuar 48 materiale kallëzuese për krime të ndryshme elektorale.

Numri u rrit më shumë në momentin kur SPAK hapi platformën për denoncimet.

Nisur edhe nga to hetuesit që tashmë janë ngarkuar me detyra kanë nisur me këqyrjen e materialeve dhe procedurat e mëtejshme.

Pavarësisht numrit të lartë të kallëzimeve, disa prej tyre nuk janë të plota si nga provat e po ashtu nga argumentet e parashtruara në kallzim Mësohet materiale kallëzuese ka dhe për institucione.

TAKIMI I DUMANIT NË DURRËS

Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës, Suela Beluli, zhvilloi dje një takim pune me kreun e SPAK, Altin Dumani në mjediset e këtij institucioni ku në focus ishin masat për parandalimin e krimeve zgjedhore.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të DVP Durrës dhe prokurorëve dhe oficerëve të caktuar në Seksionin e Posaçëm të Përkohshëm Kundër Krimit Zgjedhor të Prokurorisë Durrës.

Ky takim, u organizua në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të SPAK “Mbi komunikimin e ndërsjellë efikas dhe bashkëpunimin reciprok lidhur me hetimet mbi vepra penale gjatë periudhës zgjedhore të zgjedhjeve të Kuvendit të Shqipërisë 2025”.

Sipas njoftimit për mediet, palët diskutuan rëndësinë e reagimit të shpejtë, koordinimit efektiv dhe ndarjes së informacionit ndërmjet institucioneve, me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të çdo veprimi që cenon integritetin e votës së lirë të qytetarëve.

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, prokurorëve dhe hetuesve të Prokurorisë së Posaçme do t’u vihen në dispozicion ambiente në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë të pranishëm në terren dhe të gatshëm për të marrë çdo kallëzim apo informacion nga qytetarët në lidhje me veprimtari të dyshuara penale që lidhen me zgjedhjet. Prania e tyre është një garanci shtesë për transparencën dhe seriozitetin me të cilin institucionet po e trajtojnë këtë proces, ndaj Prokuroria inkurajon çdo qytetar që të bashkëpunojë dhe të raportojë çdo përpjekje që synon të cenojë votën e lirë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës riafirmon angazhimin e saj për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm ligjor për të mbrojtur të drejtën e votës dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Exit mobile version