34% e punësimeve në bashkitë shqiptare, në kundërshtim me ligjin

Më shumë se një në tre punësime në administratën e 15 bashkive shqiptare gjatë vitit 2024 janë kryer në kundërshtim me ligjin. Ky është përfundimi tronditës i një raporti të publikuar së fundmi nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil (KMShC), i cili ngre alarmin për nivelin e lartë të informalitetit dhe ndërhyrjes politike në shërbimin civil vendor.

Sipas raportit, në total janë monitoruar 1316 pozicione pune në 15 bashki, nga të cilat 454 vende pune, ose 34%, janë zënë në mënyrë të paligjshme. Këto bashki përfaqësojnë vetëm 24% të gjitha bashkive të vendit (15 nga 61), duke ngritur shqetësimin për një panoramë edhe më problematike në rang kombëtar.

Nga të dhënat e raportit rezulton se Bashkia e Vaut të Dejës kryeson listën me 83 raste punësimesh të paligjshme, ndjekur nga Bashkia e Librazhdit dhe ajo e Rrogozhinës me nga 62 raste secila. Në listën e monitorimit përfshihen gjithashtu Elbasani, Peqini, Vlora, Kurbin, Divjaka, Memaliaj, Belshi, Gramshi, Prrenjasi, Kuçova, Bulqiza dhe Cërriku.

Konkurimet  fiktive

Credits: shteg.org – Punësimet në Bashki

Raporti evidenton një sërë shkeljesh të rënda ligjore, që përfshijnë mungesë dokumentacioni për konkurimin e kandidatëve, emërime pa ndjekur procedurat ligjore dhe përdorimin e ekspertëve joprofesionistë në vlerësimin e aplikantëve.

“Ndodh që të njëjtët ekspertë vlerësojnë kandidatë edhe në fusha ku nuk i kanë njohuritë e duhura,” – thekson raporti, duke vënë në dukje se kjo përbën jo vetëm një shkelje të ligjit, por edhe një rrezik për cilësinë e shërbimeve publike.

Sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj, ky nivel i lartë i punësimeve të paligjshme rrezikon të minojë besimin e qytetarëve te administrata dhe vetë funksionimin e shtetit.

“Punësimet e paligjshme apo të paarsyeshme krijojnë një mjedis të paqëndrueshëm në administratën shtetërore dhe dëmtojnë besimin në sistemin publik. Ato janë shpesh rezultat i korrupsionit dhe favorizimit politik,” – deklaron Gjokutaj.

“Një administratë e mbingarkuar me punonjës të pakualifikuar çon në një sistem më të ngadaltë dhe më pak efektiv për zbatimin e politikave, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe investimet,” – shton ai.

Raporti thekson se në shumë raste nuk është respektuar as periudha njëvjeçare e provës për punonjësit e rinj, ndërsa mungojnë edhe trajnimet e nevojshme nga punonjësit më të vjetër. Në raste të tjera, është vërejtur se vlerësimi i performancës së nëpunësve nuk është kryer në përputhje me ligjin.

Po ashtu, janë konstatuar probleme në funksionimin e Komiteteve të Pranimit dhe Komisioneve të Ngritjes në Detyrë, ku shpesh herë të njëjtët ekspertë vlerësojnë kandidatë për fusha të ndryshme, edhe kur nuk kanë kualifikimet përkatëse.

Nga kontrolli i 338 punonjësve të cilët janë emëruar në pozicionet e shërbimit civil sipas procedurave përkatëse të parashikuara me ligj, rezulton se 239 punonjës janë në nivelin ekzekutiv dhe, 98 punonjës në nivelin e ulët dhe të mesëm dhe 1 në nivelin e lartë drejtues.

Ndër këto raste të evidentuara, rezulton ndër të cilat në 22 raste është aplikuar procedura e lëvizjes paralele dhe në 89 raste është aplikuar procedura e ngritjes në detyrë. Nga këto raste 47 janë kandidatë nga sistemi ishërbimit civil dhe 42 rastet e tjera nuk janë kandidatë pjesëmarrës në sistem./shteg.al

Exit mobile version