11 Maji – Një ‘referendum’ për drejtësinë, jo për të nxjerrë shokët nga burgu

Nga Namir Lapardhaja

Zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht pjesë e një cikli elektoral rutinë. Ato janë një moment kritik për drejtimin moral dhe politik të vendit. Të gjithë kemi parë sesi politika shqiptare është kthyer në një strehë për të paprekshmit. Tani jemi përballë një dileme të qartë: të votojmë për ndryshimin ose të votojmë për të nxjerrë shokët nga burgu.

Rama dhe Berisha nuk janë zgjidhja. Ata janë përfaqësuesit e një politike të konsumuar, që kanë ndërtuar karrierat mbi korrupsion, klientelizëm dhe pazare për të mbrojtur veten dhe sistemin. Qeverisja e tyre ka prodhuar më shumë varfëri dhe më shumë pabarazi. Zgjedhja për t’i votuar përsëri është zgjedhja për të mbajtur peng Shqipërinë.

Rama nuk është alternativë. Është përpjekja për të kapur drejtësinë, për të shpëtuar shokët nga 313. Në vend që të ofrojë ndryshimin, numri 5 përfaqëson stanjacionin e së vjetrës me një ambalazh të ri.

As Berisha nuk është zgjidhja. Partia që dikur përfaqësonte sakrificën e demokratëve, sot është kthyer në një mekanizëm riciklimi për figura të errëta të tranzicionit. Si mund të thuash “jo krimit dhe korrupsionit”, kur në listën tënde ke Ilir Metën?

Nëse duam një Shqipëri të drejtë, me një sistem ku drejtësia është e barabartë për të gjithë, ku pushteti nuk përdoret për të mbrojtur të korruptuarit, atëherë nuk mund të votojmë as për 5, as për 1, dhe as për të vjetrën që na ka zënë prej fyti.

11 Maji është dita kur duhet të themi “Jo!” politikës që intimidon drejtësinë. “Jo!” partive që kërkojnë votën për të mbrojtur shokët e tyre. “Jo!” së vjetrës që kërkon të riciklohet.
11 Maji duhet të jetë dita e një ‘referendumi’ në mbështetje të drejtësisë dhe të fundit të pandëshkueshmërisë në këtë vend.

Exit mobile version