Nga ish-Presidenti dhe kryeministri Berisha, tek ish-Presidenti Meta, 11 ministra e ish-ministra e 4 deputetë përballen me SPAK si persona të dyshuar për shkelje ligji. Mes tyre ka në qeli ndërsa hetimet për afera si pronat e ushtrisë, dosja Cez DIA, klubi Partizani dhe koncesionet në shëndetësi konsiderohen nga SPAK si abuzim me pushtetin dhe përfitime të paligjshme financiare nga jakat e Bardha.
Në puntatën e shkuar emisioni “FactCheck” trajtoi nëpërmjet një kronologjie duke nisur nga krijimi i SPAK se cilët ishin 23 drejtuesit dhe ish-drejtuesit e pushtetit lokal të vendosur përballë SPAK.
Me akuza nga blerja e votës, korrupsioni zgjedhor, vjedhja dhe shpërdorimi i parasë publike e deri tek abuzimi me pushtetin ata një e nga një kanë ngjitur shkallët e Prokurorisë së Posaçme duke përfunduar ose në burg, ose në hetim, e veç një prej tyre me pafajësi.
Këtë puntatën do të ndalemi tek ish-ministra dhe ministra që përballen dhe janë me dosje në Prokurorinë e Posaçme.
Në krye të listës qëndron ish-numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj i cili ka vendosur që përballjen me SPAK ta ketë prej së largu edhe pse deklaroi të kundërtën.
Hera e fundit që Ahmetaj shkeli në SPAK ishte data 22 qershor 2023. Aty ai qëndroi për herë të parë dhe të fundit për 6 orë ku u pyet për aferën e inceneratorit dhe privatizimit të shoqërisë Buka sha. Nga ai moment Ahmetaj humbi gjurmët duke marrë statusin e personit të arratisur dhe në kërkim.
Një tjetër zyrtar po aq i rëndësishëm që ka mbajtur poste ministrore, është Ilir Beqaj. Për dy herë me radhë Beqaj si deklarues e person në hetim është paraqitur në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.
Ndaj Beqajt hetimet janë për aferën e koncesioneve në shëndetësi, përkatësisht “Sterilizimin” ndërsa mbeten të hapura hetimet për koncesionin e “Check-Up”.
Si deklarues dyert e SPAK i ka kaluar edhe ish-ministri i Financave në qeverinë Rama, Shkëlqim Cani, por pasi u pyet për aferën e “Sterizilimit” dhe privatizimit të “Buka sha| ai mohoi t’i njihte përfituesit duke aluduar se njohja me ta do të thoshte marrje parash.
I vetmi ish-ministër që sot qëndron në qeli nga qeveria Rama dhe dikur koalicioni Rama-Meta është Lefter Koka.
Ndaj Kokës ka dy dënime të dhëna ajo për inceneratorin e Elbasanit dhe dënimi për inceneratorin e Fierit.
Edhe pse për SPAK konsiderohet fajtor dhe pjesë e një grupi kriminal të kultivimit dhe trafikut të drogës, ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri vazhdon betejën ligjore në Gjykatën e Lartë.
Pasi shleu burgimin e vendosur nga Gjykata e Apelit, Tahiri sot është në liri, por beteja me drejtësinë vazhdon.
Sonila Qato, ish-ministre e Shtetit është e pandehur në Gjykatën e Posaçme dhe gjykimi ndaj saj ende s’ka përfunduar. Qato u hetua nga SPAK për abuzim me postin në lidhje me tenderin e aksit Kardhiq-Delvinë, kohë kur ajo drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Dyert e SPAK i ka kaluar edhe ish-ministrja e Mbrojtjes dhe ish-ministrja e Jashtme në qeverinë socialiste Olta Xhaçka, për të po kryhen hetime lidhur me dhënien e pronave të ushtrisë për zhvillim privatit si në rastin e Portit të Limionit në Sarandë vendosur nën sekuestro nga SPAK.
Një tjetër ish-ministre në postin e Financave e cila sot është ministre e Bujqësisë ka kaluar dyert e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është Anila Denaj e cila më 4 gusht 2023 u paraqit në SPAK për kohën kur ajo ka qenë pjesë e fondit të kujdesit shëndetësor dhe prania e saj lidhej me aferën e “Sterilizimit”.
Ish-ministra nuk kanë munguar edhe nga qeverisja e Partisë Demokratike. Genc Ruli, ish-ministri Ekonomisë është paraqitur në SPAK dhe ka dhënë deklarime.
Aldo Bumçi po ashtu ka dhënë deklarime dhe para mediave ka kërkuar të hetohet se firma që qëndron mbi një letër zyrtare kur ai ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë sipas Brumçit është e falsifikuar.
Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes në qeverinë Berisha sot është i vetmi nga ajo kohë që përballet me drejtësinë si i pandehur.
Ai është i akuzuar nga SPAK për tragjedinë e Gërdecit të 15 mars 2008 ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të plagosur.
Në SPAK pas hekurave qëndron ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrepaj i cili sipas prokurorisë ka shkelur ligjin për koncesionin e “Sterilizimit”.
Qelinë e kanë provuar edhe deputetë. Si Alqi Bllako i cili sapo la mandatin u arratis për pak orë e më pas u dënua për aferën e inceneratorëve.
Një tjetër ish-deputet dhe po ashtu bashkëshort i ish-ministres Xhaçka, Artan Gaçi më 6 tetor 2023 u pyet nga SPAK për një aferë me pronat në bregdet. Atij i janë sekuestruar 5000 m2 truall në rezortin turistik që po ndërton ndërsa hetimet janë të hapura.
Deputeti aktual i Partisë Socialiste Bardhyl Kollçaku dikur ish-gjeneral i ushtrisë shqiptare po ashtu është paraqitur në SPAK. Kollçaku është pyetur për aferat me pronat e ushtrisë.
Deputeti aktual socialist Agron Çela është prej atyre që ka ngjitur shkallët e Prokurorisë së Posaçme.
Çela është pyetur për aferën “Cez-Dia” për të cilën SPAK heton ish-shefin e Çelës, Ilir Meta.
Ish-Presidenti Meta për herë të fundit ka shkelur në SPAK më datë 8 nëntor 2023 ku është marrë në pyetje dhe e ka cilësuar procesin ndaj tij si të manipuluar dhe nxitur nga Kryeministri Edi Rama.