12 drejtuesit e policisë që menaxhojnë drogën nga Peza në Nartë dhe Tomorr

Ndërkohë që nuk mban asnjë përgjegjësi për faktet tronditëse që kemi denoncuar, si arratisja e shtetasit turk në sytë e policisë në Rinas dhe prania e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë në pushimet e Klement Balilit, i cili kalon i qetë ditët në plazhin e Sarandës, edhe pse i kërkuar nga gjysma e policisë së Europës dhe DEA amerikane, Edi Rama vazhdon të thellojë kontrollin e tij mbi territorin e drogës në vend.
Dje bëmë publike një pjesë të hartës së influencës me drejtuesit e policisë që menaxhojnë drogën. Sot, po denoncojmë një pjesë tjetër, sipas informacioneve të ardhura nga shërbime partnere.
Konkretisht:
Ervin Hodaj, drejtor i Policisë Tiranë, së bashku me zëvendësin e tij, Ermal Muça, janë të implikuar në kultivimin e bimëve narkotike dhe vjeljen e 30 për qindëshit në zonat Pezë, Prezë, fshatrat mbrapa malit të Dajtit, Zallherr, në Kombinat me serra, deri në kufi me Durrësin dhe Kavajën.
Jeart Çela, drejtor i Policisë në Vlorë, lidhje e fortë e Tahirit dhe vëllezërve Habilaj. Menaxhon drogën në Novoselë, Mifol, Vjosë, Nartë, Panaja, Zvërnec, Trevllazër. Më tej në Risili – Llakatund – Trevllazër- Mëkat – Kaninë dhe zona e tretë është Vranisht – Llakatund – Tërbaq – Mesaplik – Gjorm – Brataj- Ramic – Sevaster. Vlen për t’u theksuar se zona Armen- Kocul –Selenicë – Poçem që lidhen me fshatrat e Tepelenës kontrollohet nga grupi i shoqërimit të ministrit Tahiri.
Besmir Qebini, dora e Shullazit në polici, ka vënë në dispozicion të kanabisit magazinat doganore, duke qenë zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Doganave. Më parë kur ishte në polici ishte i përfshirë në gjithë aktivitetet kriminale të Shullazit.
Afrim Tafa, në Drejtorinë e Policisë Berat, së bashku me shefin e Komisariatit të Skraparit, Ferdinand Dusha dhe me shefin e Komisariatit Berat, Learton Hoxha kanë nën përgjegjësi drogën në afërsi të Malit të Tomorrit nga krahu i Beratit ku janë mbjellë rreth 80.000 rrënjë kanabis dhe krahu i Skraparit ku janë mbjellë rreth 100.000 rrënjë.
Edmond Targaj, drejtor i Policisë Qarku Dibër, ka nën hyqëm 12 grupe kriminale nga Tepelena, Vlora dhe Dibra, që mbjellin e trafikojnë drogën. Zonat ku është përqendruar ky aktivitet janë fshati Viçisht me rreth 20.000 rrënjë bimë cannabis, fshati Muhurr me 15.000 rrënjë, fshati Qaf – Muhurr me 17.000 rrënjë dhe fshati Shupenzë, me rreth 50.000 rrënjë. Porosia është të mos pranohet asnjë ofertë më pak se 10 mijë rrënjë. Ndihmësi i Edmond Targajt në Dibër është Robert Aga, i përfolur në çdo raport të shërbimeve partnere për rolin e tij kyç në trafikimin e drogës.
Fatmir Lleshi, në detyrën e tij si shef i Komisariatit 4 në Tiranë, në bashkëpunim me deputetë të PS-së në Tiranë, u kujdesën për drogën në zonën e Tujanit dhe në rrethinat e Dajtit. Me ndihmën e inspektorit të policisë Demaliaj dhe Alban Ahmetaj, menaxhohet dhe kanabisi i Shëngjergjit.
Erjon Ismailaj, shef i Komisaritatit të Policisë Krujë, i përfshirë drejtpërdrejt në kultivimin e kanabisit, ku mendohet se janë rreth 75.000 rrënjë. Ky shef komisariati dorë e Shullazit dhe Tahirit ka keqtrajtuar dhe mbajtur peng disa orë inspektorë të mjedisit që konstatuan arat me drogë dhe i kërcënuan me jetë nëse flasin.
Henrigert Mitri, menaxhon mbi 40 mijë rrënjë në zonën e Burrelit, ku është shef komisariati, një njohje e vjetër e Shullazit dhe Erjon Braçes. Ishte shef komisariati në Lushnjë, kur ndihmoi për fshehjen e provave pas rënies së avionit me drogë në Divjakë.
Në ditët në vijim, do të bëjmë publike të tjera të dhëna për kontrollin e çdo pëllëmbe tokë në vend të mbjellë me drogë nga Edi Rama, me drejtuesit e tij të policisë.
Kështu e ka ngritur ai perandorinë e drogës në vend, që po mbyt ekonominë e ndershme dhe po shfrytëzon varfërinë e fshatarëve. Ky biznes gjigant kriminal, po rritet çdo ditë, për të siguruar miliona euro për Edi Ramën e oligarkinë e tij, para që Edi Rama planifikon t’i përdorë në zgjedhje për të blerë votat.
Edi Rama i ka braktisur me kohë shqiptarët dhe interesat e tyre, ai e ka braktisur qeverisjen e vendit.
Edi Rama po qeveris me krimin dhe vetëm për krimin.
Droga dhe krimi nuk janë zgjedhja e shqiptarëve. Ekonomia dhe siguria e tyre po rrënohet përditë, prej drogës, krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës. Shqiptarët e refuzojnë këtë sundim mafioz dhe do ta shporrin shumë shpejt.
Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën.

Exit mobile version