Punimet në Kryeministri nga firma ku punon vajza e Lindës

Vincent TRIEST

Më në fund është zbuluar kompania që ka bërë projektin e ndryshimeve në godinën e Kryeministrisë me porosi të Kryeministrit Edi Rama.
Një libër promocional i firmës belge, “51N4E”, ka hedhur dritë mbi pyetjen se kush ka qenë autori i projektit për galerinë COD (qendra e hapur për dialog) në katin e parë të Kryeministrisë, me të cilën Rama ka dashur të impresionojë veçanërisht vizitorët e lartë të huaj, siç ishte rasti i Kancelares Merkel.
Në këtë libër, botuar nga kompania belge “51N4E” në bashkëpunim me Falma Fshazin, punonjëse pranë Kryeministrit Rama dhe Stefano Grazianin, janë publikuar projektet që kjo kompani ka prezantuar dhe realizuar në Tiranë. Mes tyre, siç duket edhe në këto foto më poshtë, figuron edhe projekti i ndërhyrjes në godinën e Kryeministrisë.
Këto projekte paraqiten në libër me një tekst shoqërues të Falma Fshazit, e cila është dhe drejtoresha e galerisë në katin e parë të Kryeministrisë, si dhe me foto të italianit Stefano Graziani.
Nën titullin “Si gjërat takohen”, prezantohen me një kolazh fotografik projektet e studios belge në Shqipëri, mes tyre projekti i vjetër i Sheshit “Skënderbej” (që po rivitalizohet së fundi), kulla TID, dy pika karburanti, si dhe disa foto nga momentet e rikonstruksionit në Kryeministri. Është hera parë që një studio arkitekturore boton fotot e projektit të realizuar në Kryeministri në një libër promocional për kompaninë e tyre.
Deri më tani, Kryeministria nuk i është përgjigjur kërkesës së vazhdueshme të “AbcNews” për autorësinë e projektit të ndryshimeve në Kryeministri. Vetë Falma Fshazi, drejtoresha e galerisë në Kryeministri, i është shmangur kësaj pyetje. Por, mesa duket, ky botim ku një prej autorëve është vetë zonja Fshazi, nxjerr të vërtetën e projektit.
Firma belge “51N4E”, tashmë e njohur si autore e disa projekteve në Shqipëri, është akuzuar si një kompani me lidhje të forta dhe e afërt me Kryeministrin Rama. Veç projekteve të fituara në Bashkinë e Tiranës, kur ajo drejtohej nga Edi Rama, në regjistrat e firmës “51N4E”, kanë qenë punësuar edhe disa të afërt të Kryeministrit. Një prej bashkëpunëtorëve të kësaj studioje arkitekturore rezulton të ketë qenë Rea Xhillari, vajza e Linda Bashës, bashkëshortes së Edi Ramës. Emri i saj figuron në listën e mëposhtme që pasqyron skuadrën e “51N4E”.
Veç familjares së Kryeministrit, firma “51N4E” është e lidhur edhe me një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Anri Sala, një prej miqve më të afër të Ramës dhe bashkëpunëtor në lyerjen e fasadave të kryeqytetit, ka bashkëpunuar me “51N4E” në projektin e vjetër për rehabilitimin e Sheshit “Skënderbej”.
Të gjithë duket se janë të kënaqur me bashkëpunimin me studion belge. Madje edhe fotografi italian Stefano Graziani, për të cilin “AbcNews” mësoi se qenka fitues i projektit për lotin e parë të “Korridorit Ekonomik Tiranë-Durrës”.
Galeria COD, në katin e parë të Kryeministrisë, funksionon si një qendër për promovimin e artit në Shqipëri, por punimet aty u bënë pa shpallur projektin fitues apo një tender për kostot e ndërhyrjeve në katin e parë, duke shkelur ligjin për prokurimet publike.
Fakti, se ky projekt është realizuar nga kompania belge, shpjegon se përse deri më sot është refuzuar me arrogancë të bëhet transparencë për punimet në Kryeministri.

Lidhjet e forta të kompanisë me Ramën
Kompania “51N4E” e bashkëthemeluar nga Peter Swinnen, shpallësi i tenderit për nismën “Atelier Albania”, ka qenë një nga kompanitë arkitekturore më të rëndësishme për Ramën. Kjo kompani ka bërë projektin për Sheshin “Skënderbej”, që zgjati për 4 vite me radhë duke mbajtur peng gjithë trafikun në Tiranë dhe si përfundim nuk u realizua kurrë. Po ashtu, fituesi i tenderit të projektit të Lungomares në Vlorë u shpall më 21 shkurt 2014, Xaveer de Geyter me studion “XDGA”. Vetëm disa muaj më pas, në korrik të 2014, u evidentua, se projekti kishte probleme. Sipas gazetës prestigjioze belge “De Morgen”, në një artikull të titulluar “Afera në Shqipëri shporr arkitektin belg”, thuhet se zgjedhja e Shqipërisë nuk ishte e rastësishme. “Kompania ‘51N4E’, e bashkëthemeluar nga arkitekti Peter Swinnen, shpallësi i tenderit, ka lidhje të forta me qeverinë shqiptare”, thuhet në artikullin e kësaj gazete.

Arkitekti nën hetim për korrupsion në Belgjikë
Më datë 27 shkurt 2014, Peter Swinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve Flamanë që këshillon qeverinë flamane, shpalli tender lidhur me një studim fizibiliteti për realizimin e projekteve në Shqipëri. Tre ishin kompanitë që konkurruan për këtë studim: 1) “AWB”, 2) “B-ild Architecten” dhe 3) “Centrum voor Stadsontwikkeling CVBA”. Kompania e fundit është ajo e Patrick Janssens, i cili së bashku me ortakët e tij ka fituar kontratën prej 31.097 eurosh.
Por një raport i Qendrës së Auditimit Financiar të qeverisë flamane, nxori në pah, se informacioni paraprak që shpallësi i tenderit, Peter Swinnen i ka dhënë fituesit të tenderit Patrick Janssen ka krijuar një garë të pandershme. Si rrjedhim fituesi ka qenë i favorizuar në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, Peter Swinnen është shkarkuar nga detyra dhe sipas shtypit belg, ndaj tij mund të fillojë një hetim penal.
“Vendimi për të shkarkuar Swinnen është marrë në bazë të një raporti nga Qendra e Auditimit të qeverisë flamane”, është shprehur zëvendëskryeministrja e qeverisë flamane, Liesbeth Homans. Raporti i Auditimit provoi, se për tenderimin kishte konflikt interesi, pasi ishte Swinnen ai që hodhi idenë, nëse kompania e Qendrës së Arkitektëve Flamanë mund të realizonte projekte edhe në Shqipëri, gjë që u kundërshtua nga anëtarë të tjerë të saj.

Exit mobile version