Në fjalën e tij lideri demokrat, bëri dhe një denoncim i cili bën fjalë për implikimin e policisë në aferat e drogës. Sipas tij, vetëm 30 kilometra larg nga Tirana, ndodhet një magazinë me 100 tonë drogë, e cila është në pronësi të drejtorit të Policisë së Durrësit, Perlat Cullhaj. Basha tha se, për këtë janë në dijeni Rama, ministri i tij i Brendshëm, ish-ministri Saimir Tahiri, por nuk mund të flasin sepse nuk janë ata që kontrollojnë krimin, por krimi që kontrollon ata. “Partia Demokratike ka lindur si partia perëndimore e shqiptarëve, si partia e vokacionit europian dhe euroatlantik të një kombi properëndimor. Ku e gjejnë guximin bijtë e stalinistëve shqiptarë, bijtë e antiamerikanëve shqiptarë, bijtë e antieuropianëve shqiptarë, të akuzojnë Partinë Demokratike si një parti antiperëndimore? Këta që me drogë, me krim, me prostitucion dhe korrupsion i kanë vënë kazmën çdo vlere dhe parimi perëndimor në këtë Shqipëri. E gjejnë tek arroganca që pjell pushteti i inkriminuar, pasurimi i inkriminuar që u ka zënë sytë, veshët, u ka korruptuar mendjen, i ka shkëputur totalisht nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve. Janë të droguar në kuptimin e vërtetë dhe në kuptimin figurativ nga droga që kanë mbjellur kudo. Janë majmur me milionat e drogës dhe korrupsionit dhe nuk dinë se çfarë broçkullisin. Sot që flasim, kam marrë mesazhe nga zyrtarë të Policisë së Shtetit, të cilët tregojnë me kurajo se sa e rëndë është gjendja e drogës në vend. E di unë, e di ai, e di ministri i Brendshëm, e dinë të gjithë institucionet se m’u në Manzë, 30 km nga këtu, ka një magazinë me 100 tonë drogë. E mbron një nga të kryekorruptuarit e Policisë së Shtetit, Perlat Çullhaj, që e ka emrin në listën e çdo agjensie ligj-zbatuese perëndimore. E di unë, e di ky, e di ministri i Brendshëm dhe ish–ministri i Brendshëm, por nuk kanë guxim ta prekin Perlat Çullhajn, se nuk janë këta bosat e Perlatit, por është Perlati dhe droga e tij, bos i tyre. 100 tonë drogë në Manzë, natë për natë nisin skafet nga Gjiri i Lalzit. 20 tonë drogë në Ishëm. Po merrem vetëm me këto dy magazinat sot, nesër flasim për magazinat e tjera. Ja ku e kanë sjellë Shqipërinë, Edi Rama dhe banda e tij e kriminelëve në pushtet. Ja pse është e domosdoshme të shporrim këtë bandë si kushti i patejkalueshëm për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.