Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon në Gjykatë sekuestrimin e pasurive të deputetit të Partisë Socialiste, Alfred Peza. Anëtari i Parlamentit nga radhët e mazhorancës po hetohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Bëhet e ditur se, Prokuroria ka avancuar në hetimet ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Alfred Peza. Sipas burimeve, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është paraqitur nga Prokuroria një kërkesë për sekuestrimin e pasurive të deputetit të mazhorancës, hetimet ndaj të cilit nisën pak muaj më parë, për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Burimet tregohen të rezervuara lidhur me detajet e mëtejshme dhe pasuritë konkrete, për të cilat është kërkuar sekuestro. Ajo që dihet është se mbrëmjen e së mërkurës në Prokurorinë për Krime të Rënda ka mbërritur një material voluminoz dhe vetëm pak orë më vonë, rreth orës 16:00 të së enjtes, prokurorët e Njësisë së Specializuar Task Forcë, e kanë dorëzuar atë në Gjykatë.
Kërkesa për sekuestro është e detajuar dhe pritet që të zhvillohet seanca për të vendosur nëse pasuritë e deputetit do të vihen ose jo nën sekuestro, sipas ligjit antimafia. Nga hetimet disa mujore, ka rezultuar se deputeti i mazhorancës, nuk ka mundur të justifikojë pasurinë e tij.
Hetimet ndaj Pezës
Hetimet ndaj Alfred Pezës, nisën pas publikimit të një kontrate noteriale, sipas së cilës bashkëshortja e tij, kishte investuar shumën prej 1.14 milionë dollarë për të blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë.
Mediat raportuan duke shoqëruar me dokumenta, se bashkëshortja e Alfred Pezës, Mirela Ndini në vitin 2015, në datën 17 mars ka blerë 1% të aksioneve të një banke të nivelit të dytë me vlerë 1.13 miliardë lekë dhe kontrata e shitjes është bërë përpara noterit Julian Zhelegu, dhe zonja Mirela Ndini ka blerë nga shtetasi A.P, 1% të aksioneve të Bankës në vlerën 113 milionë lekë të reja ose 1.13 miliardë të vjetra. Blerja e aksioneve më pas ka kaluar procedurat e tjera ligjore dhe Mirela Ndini bashkëshortja e deputetit Alfred Peza, është bërë aksionere e Bankës dhe sot pas një viti ka 0.79% të aksioneve të kësaj Banke.
Prokuroria e Përgjithshme e vuri emrin e Alfred Pezës, në regjistrimin e personave që u atribuohet vepra penale dhe kërkoi dëshminë e tij. Ligjvënësi socialist jashtë dyerve të Prokurorisë deklaroi për mediat se çdo qindarkë të pasurisë së tij e ka fituar me punë të ligjshme. Pas ish-deputetit të mazhorancës, Mark Frroku, kjo është kërkesa e dytë nga Prokuroria për sekuestrimin e pasurisë së një anëtari të Parlamentit.
Peza nga gazetar në miliarder në 18 muaj
Deputeti i “Rilindjes” në një periudhë të shkurtër nga një gazetar u kthye në një njeri që blen aksione me qindra milionë lekë. Me një rrogë mujore 600 euro, në vetëm 18 muaj, Peza 5 fishoi pasuritë e tij. Sipas të dhënave të siguruara nga OpenData Albania rezulton se deputeti Peza ka dy apartamente, në Tiranë dhe Durrës. Ai sipas deklarimit fillestar të pasurisë kur ka marrë detyrën e deputetit rezulton të ketë 95 milionë lekë (të vjetra) kursime dhe disa kredi apo detyrime në vlerën 40 mijë euro. Më tej, ai deklaron një tjetër llogari bankare sërish në emrin e bashkëshortes, këtë herë në vlerën 130 milionë lekë të vjetra.
Sipas të dhënave të publikuara, por edhe dokumenteve të siguruar rezulton se Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur 1.1 miliard lekë (të vjetra) pasuri apo të ardhura monetare. Nga vetë deklarimi apo mbledhja e të gjithë të ardhurave apo detyrimeve sipas OpenData Albania rezulton se çifti Peza mund të kenë pasur rreth 230 milionë lekë të vjetra të deklaruara në vitin 2013, kur gazetari Peza u bë deputeti Peza.
Ky deklarim pasurie bëhet një muaj, pasi merr detyrën apo bën betimin si deputet. Pra, pasuria e Alfred Pezës është deklaruar në muajin shtator 2013, si deklarim fillestar dhe më pas në janar të 2014. Blerja e aksioneve në një Banke të nivelit të dytë, që është sa 4 herë pasuria e deklaruar e Pezës dhe ngre shumë pikëpyetje për të ardhurat e siguruara si deputet i Rilindjes.
Në një vit e gjashtë muaj, Alfred Peza ka katërfishuar pasurinë e tij. Vetë kontrata e blerjes të aksioneve tek noteri flet për 1.13 miliardë lekë të vjetra, ndërsa pasuria e deklaruar vetëm 18 muaj më pas ishte 4 herë më pak.