Televizioni Rai 3 transmetoi mbrëmjen e djeshme pjesën e 3-të të një dokumentari lidhur me trafikimin e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Prokurorët e antimafias Nicola Grateri dhe Francesco Mandoi kanë rrëfyer mbi luftën kundër trafikut të drogës dhe mafias shqiptare, duke treguar njëkohësisht forcën e grupeve kriminale, që po kontrollojnë madje edhe trafikun e drogave të forta, nga vendet e Amerikës Latine, drejt Europës.
Dy prokurorët janë të mendimit se grupet kriminale shqiptare janë forcuar tej mase, për shkak edhe të mbështetjes që kanë nga strukturat shtetërore. “Në Shqipëri janë të paprekshëm. Bëhen të pasur, kryehnë krime, kanë mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha nivelet e qeverisë, nga ato më të ulëta e deri më të larta”, shprehet prokurori Nicola Grateri për ‘Narcotica’.
“Narcotica” e nis këtë reportazh me fshatin Lazarat, në jug të vendit, pranë Gjirokastrës.
“Një fshat i vogël që konsiderohet prej kohësh qendra e kultivimit të marijuanës, skena e operacioneve masive të policisë dhe përplasjeve të armatosura”, thuhet në reportazh.
Prokurori Gratteri tregoi për Rai3, se një e treta e Shqipërisë është e mbjellë me kanabis.
Prokurori Gratteri dhe Koloneli D’Angelantonio del Ros tregojnë për hetimet për klanet shqiptare dhe bashkëpunimin me Prokurorin Francesco Mandoi i cili jeton në Tiranë për të koordinuar hetimet.
Ata rrëfejnë mbi hetimet e nisura nga anti-mafia italiane ndaj mafies shqiptare dhe bllokimin e tonelatave me kanabis, por edhe me kokainë. Në një rast janë kapur në Otranto 9 ton kanabis, por bashkë me këtë lloj droge, grupet kriminale transportojnë edhe kokainë, që e marrin vetë në vendet e Amerikës Latine, rrëfen prokurori Gratteri.
Gazetari italian shprehet se mafia shqiptare tani nuk merret vetëm me trafikun e kanabisit, por edhe atë të drogave të forta, si kokainë, që e marrin në Kolumbi dhe e sjellin në Shqipëri.
Prokurori italian që ndodhet në Shqipëri, Francesco Mandoi ka treguar për ‘Narcotica’ se si një hetim i nisur nga drejtësia italiane ka bërë të mundur bllokimin e një sasi prej 14 mijë kilogramë kokainë që ishte bërë gati në Venezuelë dhe do të sillej në bazën e Porto Palermos në Shqipëri me nëndetëse.
“Me hetimin tonë ne bëmë të mundur që të shkatërronim një organizatë që kishte bërë një plan të detajuar që të vinte në funksion bazën e nëndetëseve në Porto Palermo për të sjellë kokainën në Shqipëri me nëndetëse, duke e marrë në Amerikën Latine”, tregon për Narcotica, prokurori Francesco Mandoi.
Ndërsa një tjetër punonjës i Guardia di Fincanca italiane në Shqipëri, është shprehur për ‘Narcotica’ se vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2019 janë arrestuar dhjetëra shqiptarë që kanë bërë trafiqe droge në Itali.
“Ne nuk duhet që të shqetësohemi vetëm për mafian tonë, por duhet të shqetësohemi shumë edhe për shqiptarët. Ata janë bërë të frikshëm”, shprehet Gratteri.