Viti 2023 shënon 140 vjetorin e botimit të revistës së parë në gjuhën shqipe. Revista ruhet në fondin e bibliotekës “Qemal Baholli” në Elbasan dhe titullohet “Flamuri i Arbrit”.
Kjo revistë u botua për herë të parë nga Jeronim De Rada në vitin 1883 me synimin për të ruajtur dhe përçuar gjuhën Shqipe. Në revistën e parë shqipe De Rada trajtoi çështje kulturore, letrare, shoqërore, por edhe problematika të politikës së kohës.
De Rada ka pasur si qëllim të çojë në fund amanetin e heroit tonë Skënderbeut për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe.
Në kuadër të përvjetorit të kësaj reviste në bibliotekën publike të Elbasanit u organizua një miniekspozitë.
“Kjo miniekspozitë e revistës së parë “Flamuri i Arbrit” është një kujtesë e mirë për të gjithë qytetarët sepse pas Lidhjes së Prizrenit u lanë shumë detyra për ruajtjen e përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjës partiotike. Revista e parë “Flamuri i Arbrit” është një revistë në gjuhën e arbëreshëve dhe një faqe në italisht”,-tha Fetah Biza, Hulumtues.
Në revistën e parë shqip De Rada dha përshkrime mahnitëse për krahinën e Korçës dhe të Krujës duke përshkruar me detaje fshatrat dhe kulturën. Ndoshta jeta e shkurtër 5-vjeçare e kësaj reviste nuk i dha kohë De Radës të shkruante edhe për krahinat e tjera të Shqipërisë.