Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi zyrtarizuan frontin opozitar me emrin Lidhja Europiane për Ndryshim. Koalicioni opozitar i përbërë nga tre partitë politike: Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me lista të përbashkëta dhe do të kenë kandidat të përbashkët për president.
Kreu i lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha me anë të një statusi se emrin e këtij koalicioni e vendosën pasi “Lidhja”, paraqet edhe dëshminë e fuqisë së bashkimit për t’i arritur qëllimet tona të përbashkëta në interes të popullit.
Ndërkohë tre liderët i ftuan partitë tjera, OJQ-të dhe individët që duan të sjellin ndryshimin ti bashkohen frontit të tyre.
Nën një atmosferë konstruktive dhe me një vullnet premtues, si dhe me vendim e autorizim të partive tona, deklarojmë që nga sot, 5 nëntor 2023, ne, tre partitë politike: Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, kemi formuar koalicionin për bashkëpunim, i cili do të quhet LIDHJA EUROPIANE PËR NDRYSHIM.
Ky emër, jo vetëm që është simbolik, sepse asocon në Lidhjet e shumta shqiptarëve në të kaluarën dhe dëshmon bashkëveprimin historik të shqiptarëve, por LIDHJA paraqet edhe dëshminë e fuqisë së bashkimit për t’i arritur qëllimet tona të përbashkëta në interes të popullit. Ky emër jo vetëm që është përshkrues, por edhe reflekton me vizionin, misionin dhe objektivat tona të qarta në rrugën EUROPIANE. Dhe, mbi të gjitha, ky emër jo vetëm që është shpresëdhënës, por ngërthen në vete gatishmërinë, guximin edhe këmbënguljen e fuqishme për NDRYSHIM pozitiv të vendit në çdo drejtim.
Koalicioni ynë është i vendosur t’u paraprijë nevojave të qytetarëve tanë, t’i sfidojë mangësitë e sistemit tonë dhe t’i japë fund keqmenaxhimit shumëdekadësh të pushteteve të deritanishme, që janë sinonim i politikave të gabuara, i korrupsionit të rrënjosur dhe degradimit të sistemit të shtetit në tërësi.
Andaj, Lidhja Europiane për Ndryshim, që këtu, i fton gjitha subjektet individuale e politike, të cilat ndajnë vlerat dhe aspiratat e njëjta, që t’i bashkohen këtij karvani fitues, që të mund ta sjellim ndryshimin që e meritojnë qytetarët dhe kështu të mundësojmë një të ardhme ku qytetarët do të frymojnë të lumtur në vendin e tyre.