Për rreth një vit, që nga nëntori i vitit të kaluar deri në nëntorin e vitit 2016, policia italiane në 4 provinca Bari, Brindisi, Lecce dhe Foggia, ka sekuestruar mbi 15 ton marijuanë. Kjo është shifra e dhënë nga Drejtoria Qendrore e Shërbimit dhe Kontrollit të Drogës, megjithatë dhe kjo nuk është strikte, pasi të dhënat janë në përditësim.
Në Lecce janë bllokuar mbi 7 ton marijuanë, pothuajse 4 ton në Brindisi, në Bari rreth 3 ton dhe në Foggia rreth 1 ton e gjysmë. E gjithë kjo sasi droge është Made in Albania, që sipas autoriteteve italiane trafikantët shqiptarë kanë tentuar ta fusin ose me avionë të vegjël ose me gomone.
Gjithashtu shqiptarët kanë tentuar të fusin drogë me gomone që nisen dhe nga Greqia. Sipas autoriteteve italiane, gjatë kësaj periudhe shqiptarët mbajnë numrin e parë të personave që janë arrestuar si trafikantë droge.
Në këtë raport nuk është përfshirë droga e kapur gjatë ditëve të fundit në Itali. Para katër ditësh, policia italiane sekuestroi në Leçe 1 ton kanabis dhe një armë automatike tip Kallashnikov. Gjatë katër operacioneve të ndryshme u arrestuan 4 shqiptarë dhe një shtetas italian. Sipas mediave italiane, sasia më e madhe e lëndës narkotike është kapur në fshatin e Akajas, ku policia sekuestroi rreth 5 kuintalë marijuanë. Policia italiane ka vënë në pranga dy shqiptarë, të cilët u kapën në një veturë me një kallashnikov si dhe me 70 kg marijuanë.
Ndërkohë që një shqiptar tjetër u vu në pranga, pasi gjatë kontrollit që iu bë karroatresit me të cilin punonte, iu gjetën 130 kg marijuanë. Ndërkohë që shqiptari i katërt i arrestuar ishte një 23-vjeçar shqiptar, të cilit iu kapën në makinë 1 kuintal marijuanë. Një pjesë e drogës u gjet në tre automjete të ndryshme. Pjesa tjetër u gjet në një zonë me shkurre pranë bregut të detit. Droga, sipas autoriteteve, ka mbërritur në Itali nga Shqipëria, përmes skafeve të fuqishëm. Në Burgun e Leçes është dërguar edhe një 47-vjeçar rezident në Racale, pasi policia i gjeti 250 gram heroinë.
Ndërsa një javë më parë u sekuestrua 1 ton marijuanë në Katania. Droga, e cila nëse do të hidhej në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Përveç pronarit të apartamentit ku ishte fshehur droga u arrestuan dhe pesë persona të tjerë, që sipas autoriteteve italiane janë emra të njohur të trafikut të drogës në vend. Ata kryesisht merren me transportimin e drogës nga Ballkani, dhe më pas ua shisnin trafikantëve të vegjël në Itali. Hetuesi italian Marcelo Kardona u shpreh për mediat se, ky ishte një operacion shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë për organizata të vogla italiane, por për persona që punojnë me të tjerë trafikantë jashtë kufijve.
Ndërsa para dhjetë ditësh, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1.6 ton marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë, që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen, arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë, shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen, duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro.