200 euro për person, polici drejtonte trafiku klandestin

Një punonjës policie dhe tre persona të tjerë u arrestuan nga Policia e Beratit. Ata dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e njerëzve me Greqinë. Të arrestuarit janë Kreshnik Kotollaku, Gëzim Kapllani, Valentin Gremi dhe punonjësi i Policisë Kufitare Drini Çaçi. Ata u kapën në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër, duke kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë dy persona në këmbim të një shume monetare prej 200 euro për person. Gjatë operacionit u sekuestruan dy makina, 11 aparate celularë.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 08.12.2016, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektorin për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA, mbi bazën e një hetimi 3-mujor u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Azilanti5”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 4 shtetasit, Kreshnik Kotollaku 34 vjeç, banues në Urë Vajgurore, Gëzim Kapllani  55 vjeç, banues në Berat, Valentin Gremi 35 vjeç, banues në Fier, Drini Çaçi, 39 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë trup shërbimi në vijën e gjelbër në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë mbi bazën e një pune të mirëfilltë hetimore, ku si rezultat i të cilës ditën e sotme këta shtetas janë kapur në flagrancë në pikën kufitare të Kakavijës, Gjirokastër duke kaluar në mënyrë të paligjshme drejt shtetit grek, 2 shtetas shqiptarë në këmbim të një shume monetare prej 200 euro për person.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 automjete, 11 aparate celulare, si dhe 550 euro.

Exit mobile version