150 arkitektë në Tiranë? Asgjë më shumë se spektakli i radhës pa publik

Nga Doriana Musai

150 arkitektë në Tiranë? E kujt i plasi.

Sot Tirana u gdhi me një lajm triumfues: kanë ardhur 150 arkitektë “më të famshëm të botës”. Të ftuar, të pritur, të mbledhur si prova që jemi bërë kryeqytet vizionesh.

Po 150 janë. Sa një klasë arkitekture. As më shumë, as më pak.

Të ishin 1500, apo 15 mijë, do thoshim se më në fund edhe Shqipëria ka hyrë në hartën globale të ideve. Të ishin 150 mijë, do na duhej të hapnim kufijtë me charter për të pritur arkitektët që rreshtohen për të parë mrekullinë e shekullit XXI – një Babiloni mesdhetare, ku dielli reflekton mbi fasadat me xham dhe betonin e lyer me storytelling.

Do kishim bërë bluza:

“Welcome to Albania – where 150,000 architects witnessed the Miracle of Urban Chaos turned Art.”

Do kishim ndërtuar muze për këtë ditë.

Do kishim branduar çdo pllakë trotuari.

Por jo. Janë vetëm 150. Një numër që nuk bën histori, as s’mjafton për të tundur një qytet që po ndërtohet mbi harresën.

Asnjë turist s’do blejë biletë për këtë lajm.

Asnjë shqiptar s’do ndjejë krenari të shtuar.

Sepse në këtë vend, spektakli është për të huajt, ndërsa pastrimi i skenës mbetet gjithmonë për vendasit.

Dhe sapo të mbarojë eventi, sapo të largohen të ftuarit me fotot e fasadave që u treguan, rikthehet “arkitekti ynë”: ai që suvaton kujtesën e një kampi torture për hir të një filmi. Ai që shet korrupsionin si teknologji, dhe propagandën si frymëzim.

Në mëngjes bën konferencë me 150 arkitektë për “të ardhmen e qyteteve”. Pasdite hedh firmën për të shembur një lagje tjetër, e për t’i treguar publikut që arkitektura, në këtë vend, është ekskluzivisht e atyre që nuk jetojnë këtu.

Sepse për këta të fundit – për banorët, qytetarët, skeptikët, ata që guxojnë të bëjnë pyetje – nuk ka vend në këtë skenografi.

Jo se mungon vendi. Por sepse është zënë nga dritat, dekoratat… dhe duartrokitjet që gjithmonë vijnë nga jashtë.

Exit mobile version